Deklaratë e Avokatit të Popullit me rastin e Ditës Botërore të Mjedisit
Prishtinë, më 5 qershor 2020 – Avokati Popullit, me rastin e shënimit të Ditës Botërore të Mjedisit tërheq vëmendjen e të gjitha institucioneve në vend për nevojën e angazhimit më të thelluar për ndërmarrjen e masave konkrete dhe të nevojshme për mbrojtjen dhe ruajtjen nga degradimi i mjedisit në vend, në mënyrë që të respektohet e drejta e qytetarëve për mjedis të sigurt dhe të shëndetshëm.
Në këto ditë të vështira kur i gjithë globi është përballur me situatën e krijuar nga pandemia COVID-19 është vënë në pah roli i madh i natyrës dhe shqetësimi i madh mbarë botëror për mbrojtjen e saj.
Vendin tonë vazhdojnë ta sfidojnë çështjet e mëdha të ambientit si problemet e ujit, ajrit dhe tokës, menaxhimit të mbeturinave, kontrollimit të zhurmës dhe të gjitha këto probleme mjedisore mbeten pothuajse në fazë të njëjtë për gjatë viteve. Gjithashtu nuk është arritur ndonjë përmirësim në zbatimin e legjislacionit mjedisor, si dhe mbrojtjes së të drejtave mjedisore në gjykatë. Respektimi i së drejtës së publikut për qasje në informata mjedisore dhe pjesëmarrje në proceset vendimmarrëse lidhur me mjedisin vazhdon të përcillet me paqartësi dhe sfida.
Duke pasur në konsideratë se e drejta për mjedis të sigurt dhe të shëndetshëm është e garantuar me kushtetutën e vendit dhe si e tillë është e renditur ndër vlerat në të cilat bazohet rendi kushtetues, Avokati i Popullit fton institucionet e vendit e veçanërisht Kuvendin e Republikës së Kosovës që të ushtrojë kontrolle efektive lidhur me zbatimin e standardeve dhe legjislacionit mjedisor nga ana e Qeverisë së vendit. Thirrje i bëhet edhe organeve të pushtetit gjyqësor që të ofrojnë mbrojtje efektive gjyqësore qytetarëve lidhur me trajtimin e rasteve të inicuara në gjykatë për cenim të të drejtave mjedisore.
Kohëve të fundit, Avokati i Popullit ka qenë i angazhuar në trajtimin e çështjeve të mjedisit në vend, duke nxjerrë raporte me rekomandime në shumë fusha lidhur me kufizimin e së drejtës për mjedis të sigurt e të shëndetshëm, si në rastin e mbeturinave me përmbajtje të asbestit, çështja e hidrocentraleve nëpër lumenjtë e vendit dhe shumë çështje tjera.
Dita Botërore e Mjedisit festohet me 5 qershor e cila u përcaktua nga Asambleja e Përgjithshme e Organizatës së Kombeve të Bashkuara në vitin 1972. Tema e sivjetme është “Festo biodiversitetin” dhe ka për qëllim rritjen e ndërgjegjësimit për mbrojtjen e mjedisit dhe po ashtu një vëmendje do t’i kushtohet edhe rrezikut të zhdukjes së një milion specieve anembanë botë.