Featured Image

Deklarata e Avokatit të Popullit me rastin e Ditës Ndërkombëtare Kundër Homofobisë, Transfobisë dhe Bifobisë

17/05/2020

Prishtinë, 17 maj 2020 – Në kuadër të Ditës Ndërkombëtare Kundër Homofobisë, Transfobisë dhe Bifobisë, Institucioni i Avokatit të Popullit, si organ i barazisë, tërheq vëmendjen tek garantimi i të drejtave të personave të komuniteteve LGBTI, të cilët vazhdojnë të jenë ndër grupet më të cenuara në shoqërinë tonë.

Avokati i Popullit rikujton se garancitë kushtetuese për të drejtat e njeriut janë vlera themelore të një shoqërie demokratike, që i shërbejnë mbrojtjes së dinjitetit të njeriut, lirisë dhe barazisë, dhe se këto vlera janë baza themelore për funksionimin e shtetit të së drejtës. Ligji për Mbrojtje nga Diskriminimi e themelon kornizën e përgjithshme për parandalimin dhe luftimin e diskriminimit, duke i konkretizuar dispozitat kundër diskriminimit, të parapara me instrumentet ndërkombëtare dhe me Kushtetutë. Fushëveprimi i këtij ligji parasheh parandalimin dhe luftimin e diskriminimit, duke përfshirë këtu edhe identitetin gjinor dhe orientimin seksual.

Avokati i Popullit përshëndet vendosjen e së drejtës nga ana e gjykatave sa i përket respektimit të së drejtës së personave për të vendosur për identitetin e tyre gjinor. Këto vendime, për më shumë, demonstrojnë ndërgjegjësimin e institucioneve rreth të drejtave të këtyre komuniteteve dhe respektimin e legjislacionit vendor dhe të standardeve ndërkombëtare për të drejtat e njeriut.

Me qëllim të promovimit të barazisë si dhe reagimit ndaj situatave diskriminuese, Institucioni i Avokatit të Popullit, si institucion i mandatuar për të mbrojtur të drejtat dhe liritë themelore të njeriut, vazhdon të mbesë përkrahës i organizatave të shoqërisë civile të cilat avokojnë për të drejtat e personave LGBTI, duke qenë partner i përhershëm në luftën kundër diskriminimit.

Duke qenë si fenomen global, kjo ditë shënohet çdo 17 maj dhe paraqet një lëvizje të madhe në kuadër të të drejtave të personave LGBTI, duke bërë që në vitin 1990, Organizata Botërore e Shëndetësisë ta deklasifikojë homoseksualitetin si çrregullim mendor.