Avokati i Popullit Hilmi Jashari në Konferencën Ndërkombëtare me temë “Ombudsmanët në një botë në ndryshim – Rezistenca mes sfidave”
Bashkëpunimi me homologë dhe organizata të tjera ndërkombëtare në Kosovë është një element i rëndësishëm i punës së Institucionit të Avokatit të Popullit.
Në kuadër të këtij prioriteti Avokati i Popullit mori pjesë, me ftesë të homologut të tij z. Viddhavat Rajatanun, Ombudsmani i Tajlandës, në Konferencën Ndërkombëtare me temë “Ombudsmanët në një botë në ndryshim – Rezistenca mes sfidave”, e cila u mbajt më 11 – 15 shkurt 2020 në Bangkok, Tajlandë, me rastin e 20 vjetorit të themelimit të Institucionit të Ombudsmanit të Tajlandës.
Avokati i Popullit z. Hilmi Jashari, në këtë konferencë në cilësinë e panelistit, në kuadër të temës të lartpërmendur, ndër të tjerash, iu drejtua të pranishmëve me vlerësimin:
“Jam i bindur fuqimisht se zhvillimet aktuale globale do të kenë ndikim të drejtpërdrejtë në një zhvillim të ardhshëm në të drejtat e njeriut; epoka e re në një shkallë globale tashmë ka filluar. Ombudsmanët në të gjithë botën duhet ta pranojnë këtë dhe të përdorin mundësinë për të adresuar dhe kontribuar në nxitjen e perspektivës së të drejtave të njeriut në përputhje me zhvillimet globale. Kjo mundësi në të njëjtën kohë paraqet edhe sfidën për të gjithë ne në vendet tona kombëtare nëse nuk mund të punojmë së bashku për t’u dëgjuar zëri ynë në zhvillimet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut”.
Në mënyrë specifike Avokati i Popullit, z. Hilmi Jashari trajtoi pesë fusha specifike si propozime për bashkëpunim në nivel botërorë, të cilat, nga përvoja e tij konsideron se janë të rëndësisë së veçantë në fushën e të drejtave të njeriut në përgjithësi, si:
– Roli i Ombudsmanëve në nismat e ndryshimit të Ligjit ndërkombëtar për të drejtat e njeriut;
– Roli i Ombudsmanëve në raport me treguesit/indikatorët e të drejtave të njeriut;
– Roli i Ombudsmanëve në zhvillimin e një platforme ndërkombëtare të Ombudsmanëve;
– Roli i Ombudsmanëve në raport me Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm;
– Roli i Ombudsmanëve në raport me Inteligjencën Artificiale.
Këto propozime të Avokatit të Popullit u vlerësuan jashtëzakonisht lartë nga homologët dhe pjesëmarrësit e tjerë, të cilët u pajtuan që këto sfida të trajtohen si tema të veçanta në takimet e ardhshme, me qëllim të krijimit dhe avancimit të standardeve ndërkombëtare për të drejtat e njeriut.