Prokurorët vendorë u informuan për Platformën e të Drejtave të Njeriut
Prishtinë, 21 janar 2020 – Institucioni i Avokatit të Popullit (IAP) ka vazhduar sesionin informues për Platformën e të Drejtave të Njeriut dhe Objektivave për Zhvillim të Qëndrueshëm, kësaj radhe para prokurorëve të vendit.
IAP-ja ka paraqitur të martën platformën e saj të fundit me qendër të dhënash të akteve dhe të dispozitave ligjore, e cila u prezantuar para një numri prokurorësh, bashkëpunëtorësh profesionalë, zyrtarësh ligjorë dhe administratorësh.
Platforma online ofron informacione të dobishme për të gjithë praktikuesit e ligjit dhe do t’u shërbejë në punën e tyre për të arritur vendime dhe arsyetime më të qëndrueshme në zbatimin e të drejtave dhe të lirive themelore të njeriut. Prokurorët dhe zyrtarët e tjerë theksuan se platforma është efikase dhe e dobishme dhe se do të zë vend në punën e tyre.
Platforma ndahet në dy udhëzues, që do të shërbejnë për të siguruar qasje më të lehtë dhe praktike në juridiksionin vendor dhe në atë ndërkombëtar. Në këtë qendër të dhënash mund të gjenden edhe praktika të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut si dhe informacione të shumta të Objektivave për Zhvillim të Qëndrueshëm.
Platforma u lansua nga Institucioni i Avokatit të Popullit, më 10 dhjetor 2019, në bashkëpunim me Programin e Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) dhe me mbështetje financiare të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Norvegjisë.