
Komunikatë për media
Prishtinë, 10 dhjetor 2019 – Avokati i Popullit, në bashkëpunim me shoqërinë civile në Kosovë, me rastin e shënimit të 10-dhjetorit, të Ditës Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut, organizoi për të tretin vit me radhë marshin “Çohu për të Drejtat e Njeriut”.
Këtë vit kjo iniciativë kishte për qëllim dërgimin e një mesazhi për një angazhim më të shtuar, gjithëpërfshirës dhe ndërinstitucional për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, me theks të veçantë për mbrojtjen e së drejtës për një mjedis të sigurt dhe të shëndetshëm, si një nga të drejtat themelore të njeriut, përmes të cilit iu bë thirrje Institucioneve të Republikës së Kosovës për ndërmarrjen e masave më efektive për mbrojtjen e ambientit dhe të së drejtës së qytetarëve për një mjedis të shëndetshëm jetësor.
Marshi u përmbyll me nga një fjalim rasti nga Avokati i Popullit z. Hilmi Jashari dhe znj. Jeta Xharra nga shoqëria civile, përmes të cilit ngritën shqetësimet mbi problemet kryesore mjedisore me të cilët po ballafaqohen qytetarët e vendit si: ndotja e ajrit, mungesa e hapësirave të gjelbëruara, degradimi i tokës dhe i lumenjëve, ndërtimi i hidrocentraleve dhe mungesa e ujit të pijshëm, moszbatimi i Ligjit për mbrojtje nga zhurma, keqmenaxhimi mbeturinave e probleme të tjera mjedisore, duke kërkuar nga institucionet kompetente ndërmarrjen e masave imediate për adresimin e këtyre problemeve mjedisore.