Featured Image

Shënohet Përvjetori i 19-të i Institucionit të Avokatit të Popullit

22/11/2019

Prishtinë, 21 nëntor 2019 – Institucioni i Avokatit të Popullit shënoi 19-vjetorin e themelimit. Me mbështetje të projektit të financuar nga Bashkimi Evropian “Mbështetje Institucionit të Avokatit të Popullit”, organizoi ngjarjen për shënimin e përvjetorit të 19-të të themelimit.

Hapjen e ngjarjes, si nikoqir, e bëri Avokati i Popullit, z. Hilmi Jashari, me fjalim mirëseardhës dhe hyrës. Z. Jashari potencoi se përgjatë këtyre viteve, Institucioni i Avokatit të Popullit është shndërruar në institucionin më të besuar në vend, por edhe në rajon.

“Janë 19 vjet njohuri dhe përvojë e akumuluar në të gjithë vendin përmes reagimeve, opinioneve, rekomandimeve dhe raporteve vjetore, për t’u shndërruar në institucionin më të besuar në vend, por edhe në Ballkan, për dy vjet radhazi” – tha z. Jashari.

Sipas Avokatit të Popullit, Institucioni do të vazhdojë t’i trajtojë sfidat e të drejtave të njeriut, për të cilat ka hartuar edhe plane e strategji që kjo betejë të kalojë me sukses.

Folësit e tjerë ishin kryetarja e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, znj. Arta Rama, përfaqësuesi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, z. Rikardo Serri, Shefi i Misionit të OSBE-së në Kosovë, ambasadori z. Jan Braathu dhe aktivistja për të drejtat e njeriut, znj. Igballe Rogova.

Pjesë e ngjarjes ishte punëtoria interaktive, e cila kishte për synim t’i lehtësojë disa raunde bisedash në një atmosferë të relaksuar për t’i lidhur idetë midis pjesëmarrësve dhe për t’ju qasur diturisë kolektive në sallë.

Ishte një mundësi të dëgjoheshin zëra të interesuar dhe të shkëmbeheshin mendime. Ishte edhe një mundësi për rrjetëzim dhe për shkëmbim njohurish dhe përvojash në mënyrë që të rritet ndikimi i kulturës së të drejtave të njeriut në Kosovë.

Në ngjarjen e përvjetorit të 19-të të themelimit të Institucionit të Avokatit të Popullit, për kontributin e tij dhënë në këtë Institucion, z. Ibrahim Arslan, i cili tashmë u pensionua, mori mirënjohje nga Avokati i Popullit.