Njoftim për Aktvendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë lidhur me propozimin e Avokatit të Popullit për masë të përkohshme, përkitazi me Padinë për diskriminimin gjinor në listat e kandidatëve të subjekteve politike për Zgjedhjet Parlamentare 2019

04/10/2019

Prishtinë, 4 tetor 2019 – Më 26 shtator 2019, Avokati i Popullit i ka parashtruar Gjykatës Themelore në Prishtinë (GjThP), gjegjësisht Departamentit të Përgjithshëm, Padi me kërkesë për masë të përkohshme, përkitazi me shkeljen nga ana e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) të së drejtës për trajtim të barabartë të grave në të drejtat zgjedhore dhe të pjesëmarrjes.

Ndërsa, më 1 tetor 2019, Departamenti i Përgjithshëm i GjThP, i ka përcjell Avokatit të Popullit, Aktvendimin përkitazi me propozimin për caktimin e masës së përkoshme lidhur me Padinë në fjalë. Aktvendimi i GjThP, refuzon propozimin e Avokatit të Popullit për masë të përkohshme për kërkesën që Komisioni Qendrorë i Zgjedhjeve i Republikës së Kosovës të rishikoj listat e partive politike, ashtu që të njejtat të janë në pajtim me dispozitat e nenit 6, par. 8 dhe 14 të Ligjit për Barazi Gjinore.

Avokati i Popullit, duke respektuar pavarësinë e pushtetit gjyqësor dhe parimin e mosndërhyrjes në meritën e vendimeve gjyqësore, rezervohet nga komentimi i Aktvendimit në fjalë dhe mbetet në pritje të shqyrtimit të Padisë si tërësi.

Megjithatë, duke e konsideruar çështje të interesit publik, Padinë dhe masën e përkohshme, si dhe Aktvendimin e GjThP lidhur me masën e përkohshme, Avokati i Popullit i bën transparente të dy dokumentet.

Dokumentet e lartëpërmendura mund t’i gjeni në linqet e mëposhtme:

Padia me kërkesën për masë të përkohshme kundër KQZ-së, përkitazi me diskriminimin gjinor në listat e kandidatëve të subjekteve politike për Zgjedhjet Parlamentare 2019 

Aktvendimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë, Departamenti i Përgjithshëm, përkitazi me masën e përkohshme