Komunikatë për media

30/09/2019

Avokati i Popullit, në zbatim të funksioneve të tij kushtetuese dhe ligjore, më 30 shtator 2019, në rastin e hapur sipas detyrës zyrtare (ex officio) me nr. 744/2019, ka nxjerrë Opinionin përkitazi me sigurimin e qasjes në informim për kategorinë e personave me aftësi të kufizuar të dëgjimit, në kuadër të debateve televizive për zgjedhjet nacionale të vitit 2019.

 Avokati i Popullit me vëmendje i ka ndjekur zhvillimet e fundit të veprimeve parazgjedhore nga ana e kandidatëve për deputetë të ardhshëm të Kuvendit të Republikës së Kosovës për zgjedhjet e jashtëzakonshme të këtij viti. Së këndejmi, nga informatat dhe monitorimi i debateve televizive, në të cilat flitet për kandidatët për deputetë të Kuvendit të Republikës së Kosovës, së paku deri më tani, nuk është vërejtur të jenë angazhuar interpretë të certifikuar për Gjuhën e Shenjave, si gjuhë amtare e personave të shurdhër, me qëllim që edhe kjo kategori, që përdorin këtë gjuhë, të informohen rreth programeve politike, me qëllim të vlerësimit të ofertës më të mirë politike për votim të këtyre kandidatëve. Mosdhënia e mundësisë në të kuptuarit të kësaj gjuhe për këtë kategori të personave me aftësi të kufizuar vlerësohet si diskriminim mbi bazë të aftësisë së kufizuar. Ky konstatim i Avokatit të Popullit gjen bazën ligjore edhe në Ligjin nr. 05/L-021 për Mbrojtjen nga Diskriminimi, i cili është në fuqi dhe që po ashtu ndalon diskriminimin, sikurse në rastin konkret.

 Avokati i Popullit, në bazë të vlerësimeve dhe fakteve të mbledhura, bazuar në kornizën ligjore në fuqi, si dhe në përputhje me kompetencat që burojnë nga Ligji nr. 05/L-021 për Mbrojtjen nga Diskriminimi, përmes këtij opinioni paraqet udhëzimet në vijim, me qëllim të promovimit të barazisë, në përshtatjen ndaj diversitetit dhe parandalimin e diskriminimit mbi bazën e aftësisë së kufizuar në të dëgjuar:

 ·         Avokati i Popullit vlerëson se, ndër të tjera, mediat televizive kanë për qëllim informimin e saktë dhe të plotë të opinionit të gjerë. Rrjedhimisht, me qëllim të përmbushjes së këtij synimi, në mënyrë të barabartë dhe pa diskriminuar asnjë grup shoqëror, konkretisht mbi bazën e aftësisë së kufizuar, është më se e nevojshme që kategorisë së personave me aftësi të kufizuar në dëgjim t’i sigurohet mundësia për t’u informuar vazhdimisht përgjatë debateve të cilat zhvillohen në kuadër të fushatës zgjedhore, në mënyrë që të drejtën e tyre për të votuar ta ushtrojnë bazuar në gjykimin e tyre të pavarur.

 ·         Avokati i Popullit konsideron se të gjitha televizionet, të cilat gjatë kohës së fushatës parazgjedhore zhvillojnë debate me kandidatë për përfaqësues të popullit (kandidatët për kryeministër dhe për deputetë), duhet të angazhojnë interpretë të certifikuar për Gjuhën e Shenjave, ashtu që edhe qytetarët me aftësi të kufizuar në dëgjim ta kenë mundësinë e informimit dhe vlerësimit të përfaqësuesve të tyre potencialë në legjislaturën e ardhshme të Kuvendit të Republikës së Kosovës.

 Këshilli i Pavarur për Media, bazuar në mandatin dhe në kompetencat ligjore që ka, duhet të ndërmarrë veprime të cilat ndikojnë dhe inkurajojnë ofruesit e shërbimeve audiovizuele në përshtatjen ndaj diversitetit dhe luftimin e diskriminimit, duke siguruar që shërbimet e tyre, në mënyrë graduale, të bëhen plotësisht të qasshme për grupet e ndryshme të personave me aftësi të kufizuar.