Avokati i Popullit publikoi Raportin me rekomandime lidhur me Qendrën Edukativo – Korrektuese në Lipjan

25/09/2019

Prishtinë, më 26 gusht 2019 – Raporti në fjalë i referohet vizitës nga Mekanizmi Kombëtar për Parandalim të Torturës (MKPT) realizuar më 2 korrik 2019. Qëllimi i kësaj vizite ishte monitorimi për respektimin e të drejtave të personave të mitur të akomoduar në Qendrën Edukativo – Korrektuese në Lipjan (QEKL), të cilat garantohen me Kodin e Drejtësisë për të Mitur, me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, me ligjet e aplikueshme në Republikën e Kosovës dhe me standardet ndërkombëtare për mbrojtjen e të drejtave të të burgosurve; si dhe zbatimi i rekomandimeve të MKPT-së, të cilat u janë dërguar autoriteteve kompetente përmes raportit me rekomandime, i publikuar më 7 shtator 2018.

Gjatë vizitës në QEKL realizuar nga MKPT-ja, personeli i kësaj qendre i ka ofruar ekipit monitorues bashkëpunim të plotë. MKPT-ja ka zhvilluar intervista personale dhe grupore me një numër të konsiderueshëm të të miturve dhe nuk ka marrë asnjë ankesë për keqtrajtim fizik apo për përdorim të tepruar të forcës fizike të ushtruar nga zyrtarët korrektues.

Sa u përket kushteve të akomodimit, MKPT-ja ka vërejtur se në përgjithësi kushtet e akomodimit në QEKL shkojnë përtej standardeve minimale dhe arrijnë nivelin e standardeve të dëshirueshme për akomodim të të miturve me masë edukuese.

Gjatë vizitës në QEKL, të miturit u shprehën të pakënaqur me cilësinë dhe sasinë e ushqimit. Drejtori është i vetëdijshëm për këto pakënaqësi dhe synon ta përmirësojë kualitetin e ushqimit me aktivizimin e kuzhinës në QEKL. Sipas njoftimit nga drejtori, punët në rinovimin e kuzhinës janë në fazën përfundimtare.

Sa i përket regjimit, MKPT-ja është njoftuar nga të miturit se ata lëvizin lirshëm në hapësirat e objektit të QEKL-së dhe u mundësohet shëtitja jo më pak se 3 orë. Qendra Edukativo – Korrektuese në Lipjan e ka kabinetin e informatikës, i pajisur me kompjuterë; bibliotekën e cila është e pasuruar me disa tituj të ndryshëm, romane, kabinetin e shtypshkronjës, po ashtu janë të pajisur me makineri adekuate për shtypjen e dizajnëve në bluza, në gota etj. Megjithatë, është për keqardhje që kabinetet në dispozicion, përveç kabinetit të informatikës dhe të floktarisë, ende nuk shfrytëzohen sa duhet, për shkak të mungesës së trajnerëve adekuatë.

Sa i përket kontaktit me botën e jashtme, sipas pohimeve të drejtorit dhe të të miturve, u lejohet një vizitë gjatë javës dhe një vizitë shtesë nëse ata parashtrojnë kërkesë tek drejtori i QEKL-së. Përveç kësaj, në dispozicion të të miturve janë edhe telefonatat, për të cilat QEKL-ja ua siguron kartelat për të telefonuar.

Gjatë vizitës, MKPT-ja nuk ka marrë ankesa nga të miturit lidhur me shërbimet mjekësore të cilat u ofrohen në QEKL.

Përmes këtij raporti me rekomandime, Avokati i Popullit i rekomandon Ministrisë së Drejtësisë që ushqimi për të miturit të jetë i bollshëm dhe i përshtatshëm, sipas kalorive të kërkuara për rritjen dhe zhvillimin e të miturve; të funksionalizohen kabinetet të cilat ende nuk janë funksionale dhe të angazhohen trajnerët adekuatë për punë në këto kabinete.

Raporti i plotë me rekomandime mund të lexohet në: LINK