Featured Image

Avokati i Popullit priti në takim delegacionin e Mekanizmit Kombëtar për Parandalim të Torturës i Republikës së Shqipërisë

19/09/2019

Prishtinë, 19 shtator 2019 – Avokati i Popullit i Republikës së Kosovës, z. Hilmi Jashari, ka pritur sot në takim delegacionin e Mekanizmit Kombëtar për Parandalim të Torturës i Republikës së Shqipërisë.

Avokati i Popullit z. Jashari u uroi mirëseardhje anëtarëve të delegacionit dhe i njoftoi ata lidhur me punën e Institucionit të Avokatit të Popullit në drejtim të luftimit të diskriminimit dhe parandalimit të torturës, duke u përqendruar në punën e Mekanizmit Kombëtar për Parandalim të Torturës.

Në kuadër të Marrëveshjes së Bashkëpunimit të nënshkruar mes Republikës së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë, e datës 7 mars 2016, qëllimi i vizitës ishte intensifikimi dhe thellimi i mëtejmë i bashkëpunimit institucional mes mekanizmave kombëtar për parandalim të torturës të të dyja vendeve, përmes shkëmbimit të përvojave, praktikave më të mira dhe ofrimin e metodologjisë për realizimin e procedurave të inspektimit dhe të monitorimit në vendet e vuajtjes së dënimit, në qendrat rezidenciale për të moshuarit dhe në institucionet e shtëpive të fëmijëve.