Deklaratë e Avokatit të Popullit lidhur me përfaqësimin e barabartë gjinor në procesin për Zgjedhjet e Parakohshme Parlamentare 2019

05/09/2019

Prishtinë, 5 shtator 2019 – Avokati i Popullit, në përmbushje të mandatit që ka dhe duke vlerësuar rëndësinë e patjetërsueshme që kanë zgjedhjet brenda një sistemi demokratik, po ndjek me vëmendje dinamikën e procesit për Zgjedhjet e Parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës.

Si thelbësore për funksionimin demokratik të shtetit, zgjedhjet kërkojnë integritet të padiskutueshëm, i mbështetur fuqishëm mbi parimet dhe garancitë që i ka vendosur Kushtetuta dhe ligjet e vendit.

Të zgjedhësh dhe të jesh i zgjedhur është e drejtë e garantuar për secilin shtetas të Republikës së Kosovës mbi moshën 18 vjeç. Në këtë kuptim, duke pasur parasysh zgjedhjet paraprake, Avokati i Popullit rikthen vëmendjen e publikut të gjerë dhe të autoriteteve kompetente për mundësitë e barabarta për pjesëmarrje të të dyja gjinive, në të gjitha segmentet e procesit zgjedhor, duke e konsideruar, ashtu sikurse edhe Kushtetuta e vendit, barazinë gjinore si vlerë themelore për zhvillim demokratik të shoqërisë.

Avokati i Popullit ua rikujton subjekteve politike se Ligji nr. 05/L-020 për Barazi Gjinore, respektivisht neni 14 i tij, shprehimisht thotë: “Partitë politike me aktet e tyre obligohen të zbatojnë masat për promovimin e pjesëmarrjes së barabartë të meshkujve dhe femrave në organet dhe trupat e partive, në pajtim me dispozitat e nenit 6 të këtij ligji.”. Neni 6, paragrafi 7, i këtij ligji, ndër të tjera, specifikon: “Organet legjislative, ekzekutive dhe gjyqësore në të gjitha nivelet, si dhe institucionet tjera publike, janë të obliguara të miratojnë dhe zbatojnë masa të veçanta për të arritur përfaqësimin e gjinisë më pak të përfaqësuar, deri në arritjen e përfaqësimit të barabartë të femrave dhe meshkujve sipas këtij ligji.

Për më tepër, Ligji nr. 05/L-020 për Barazi Gjinore, neni 6, paragrafi 8, e saktëson qartë: “Përfaqësimi i barabartë gjinor në të gjitha organet legjislative, ekzekutive dhe gjyqësore dhe institucionet e tjera publike arrihet kur sigurohet përfaqësim minimal prej pesëdhjetë përqind (50%) për secilën gjini, përfshirë edhe organet e tyre drejtuese dhe vendimmarrëse.

Përballë hezitimit lidhur me përparësinë e zbatimit të akteve normative[1], Avokati i Popullit thekson zëshëm se dispozitat e Ligjit nr. 05/L-020 për Barazi Gjinore kanë përparësi ndaj dispozitave të Ligjit nr. 03/L-073 për Zgjedhjet e Përgjithshme, që flasin për përfaqësimin gjinor. Kjo për dy arsye:

      1.Ligji nr. 05/L-020 për Barazi Gjinore është ligj special sa i përket garantimit, mbrojtjes dhe promovimit të barazisë midis gjinive, si vlerë themelore për zhvillimin demokratik të shoqërisë;

      2.Ligji nr. 05/L-020 për Barazi Gjinore është ligj i miratuar më vonë në krahasim me Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme dhe detyrimisht kërkon zbatim sipas dispozitave që përmban.

Në veçanti, duhet pasur parasysh nenin 5, paragrafi 2, të Ligjit nr. 05/L-020 për Barazi Gjinore, i cili shprehimisht saktëson: “Çdo dispozitë, e cila është në kundërshtim me parimin e trajtimit të barabartë sipas këtij ligji, shfuqizohet.

Avokati i Popullit e konsideron veprim të detyrueshëm dhënien e mundësive të barabarta, pa diskriminim mbi çfarëdo baze, në listat e kandidatëve dhe në procesin zgjedhor si tërësi dhe bën thirrje publike që kjo të sigurohet.

Së këndejmi, Avokati i Popullit pret nga subjektet politike që marrin pjesë në këtë proces zgjedhor, ashtu siç pret edhe nga Komisioni Qendror Zgjedhor (KQZ), që ta respektojnë parimin e barazisë në tërë procesin zgjedhor, me theks të veçantë përfaqësimin e barabartë në listat zgjedhore, në pajtim me dispozitat e Ligjit nr. 05/L-020 për Barazi Gjinore dhe pajtueshmërinë me frymën të cilën e përcjell Kushtetuta e Republikës së Kosovës.

Garantimi i mundësive të barabarta dhe pa diskriminim mbi baza gjinore jo vetëm është i domosdoshëm për një shoqëri demokratike, por është përcaktim kushtetues dhe ligjor që duhet të zbatohet nga të gjithë, përfshirë këtu partitë politike.

[1] Shih Raportin Ex Officio të Avokatit të Popullit lidhur me parimet e interpretimit të akteve normative https://oik-rks.org/2018/09/28/raport-me-rekomandime-ne-lidhje-me-tri-parime-te-pergjithshme-per-interpretimin-e-akteve-normative/