Avokati i Popullit publikoi Raportin me rekomandime të MKPT-së për Qendrën Korrektuese në Dubravë
Prishtinë, 1 korrik 2019 – Raporti në fjalë i referohet vizitës së Mekanizmit Kombëtar për Parandalim të Torturës (MKPT), realizuar nga data 27 shkurt 2019 deri më 1 mars 2019, në Qendrën Korrektuese në Dubravë (QKD).
Objektivi i kësaj vizite ishte shqyrtimi dhe verifikimi i zbatimit të rekomandimeve të MKPT-së, të cilat u janë dërguar autoriteteve kompetente përmes Raportit me rekomandime për vizitën në QKD, e cila u realizua nga data 20 deri më 22 mars 2018. Përveç kësaj, qëllimi i kësaj vizite ishte edhe vlerësimi i respektimit të të drejtave për të burgosurit, të cilat u garantohen me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, me ligjet e aplikueshme në Republikën e Kosovës, si dhe me standardet ndërkombëtare për mbrojtjen e të drejtave të personave të privuar nga liria.
Gjatë vizitës, ekipi monitorues është fokusuar në progresin e bërë për implementimin e rekomandimeve të mëhershme, për kushtet e akomodimit për të burgosurit, për miratimin e legjislacionit sekondar për luftim të korrupsionit, për aktivitetet dhe trajnimet në dispozicion të të burgosurve, për angazhimin në punë, për kontaktet me botën e jashtme, për shërbimet shëndetësore të cilat u ofrohen në QKD, për procedurat disiplinore dhe zbatimin e tyre etj. MKPT-ja përshëndet progresin e bërë nga autoritetet për zbatimin e rekomandimeve të dërguara nga MKPT-ja lidhur me vizitën e fundit në QKD.
MKPT-ja nuk ka marrë ankesa për keqtrajtim fizik apo për përdorim të tepruar të forcës fizike nga zyrtarët korrektues, ndërsa niveli i komunikimit interaktiv ndërmjet zyrtarëve korrektues dhe të të burgosurve është në nivel të kënaqshëm. Bazuar në dokumentacionin relevant, MKPT-ja ka vërejtur se gjatë këtij viti, deri më tani, janë regjistruar 12 incidente ndërmjet të burgosurve. MKPT-ja ka vërejtur se këto incidente janë evidentuar në formularë përkatës administrativë dhe mjekësorë, ndërsa, sipas nevojës, është ofruar ndihma mjekësore dhe janë ndërmarrë veprimet e parapara me Ligjin për Ekzekutimin e Sanksioneve Penale.
Shërbimet shëndetësore në QKD ofrohen nga spitali i burgut, nga spitalet rajonale dhe nga QKUK-ja. MKPT-ja ka vërejtur se spitali i burgut, edhe pse i është nënshtruar disa rinovimeve të dyshemeve në pjesën ku qëndrojnë pacientët, ende nuk i plotëson kushtet për trajtim adekuat të personave të hospitalizuar.
Pavarësisht rekomandimeve të MKPT-së dhe të Komitetit Evropian për Parandalim të Torturës, ende nuk është gjetur zgjidhje adekuate në hapësirat e spitalit për të burgosurit me aftësi të kufizuara. Në pajtim me legjislacionin në fuqi, të burgosurit e sapo pranuar i nënshtrohet kontrolleve mjekësore brenda 24 orëve nga koha e pranimi. Konfidencialitetit i shërbimeve mjekësore ruhet në pajtim me legjislacionin në fuqi dhe me standardet ndërkombëtare për të drejtat e të burgosurve.
MKPT-ja mirëpret rinovimet në pavijonet 4 dhe 6, të cilat kanë përfunduar dhe të burgosurit janë akomoduar në to. MKPT ka vërejtur se qelitë ku mbahen të burgosurit që ndëshkohen me masën disiplinore të vetmisë, sa u përket kushteve të akomodimit, tani janë në pajtim me Ligjin për Ekzekutimin e Sanksioneve Penale dhe me standardet e Komitetit Evropian për Parandalim të Torturës (KPT). MKPT-ja ka vërejtur se në Pavijonin 8 nuk ka pasur rinovime, siç ishte rekomanduar nga MKPT-ja, por ka pasur rinovime të pjesshme. Në njërin krah të këtij pavijoni ka depërtuar pjesërisht lagështia, ndërsa radiatorët pikonin si pasojë e defekteve teknike dhe, në këtë mënyrë, ngrohja nuk ishte në nivel të duhur.
Në kuzhinë ku përgatitet ushqimi për të burgosurit janë evidentuar mangësi që kanë të bëjnë me mungesën e pajisjeve adekuate për të gatuar dhe me mungesën e furnizimeve me pajisje higjienike. Gjatë vizitës, sërish është vërejtur se të burgosurit përdorin pajisje elektrike të improvizuara për ngrohje të ujit, të cilat mund t’i rrezikojnë seriozisht jetët e tyre.
Sa i përket regjimit në QKD, sipas drejtorit, janë rreth 300 të dënuar të angazhuar në punë. Zakonisht të dënuarit angazhohen për punë në kuzhinë, për pastrim dhe në ferma të QKD-së. Në kuadër të QKD-së, në dispozicion të të burgosurve është salla e fitnesit dhe fusha e futbollit. Salla e basketbollit ende nuk përdoret, meqenëse duhet të ndërrohen xhamat e dëmtuar dhe të vendosen rrjetat. Rrjedhimisht, MKPT-ja konstaton se rekomandimi për funksionalizimin e sallës së sportit vazhdon të mos implementohet. Po ashtu, MKPT-ja u njoftua se ende nuk është funksionalizuar njësia ekonomike, e cila do ta shtonte angazhimin në punë të një numri më të madh të të dënuarve.
Sa i përket personelit të QKD-së, MKPT-ja ka marrë shqetësime nga drejtori, për shkak të mungesës së personelit korrektues, të punëtorëve socialë dhe të psikologëve. Gjatë vizitës, MKPT-ja ka marrë shumë ankesa edhe nga personeli korrektues lidhur me numrin e vogël të zyrtarëve korrektues në raport me numrin e të burgosurve dhe për kushteve tjera të punës. Gjithashtu, MKPT-ja, gjatë intervistave me zyrtarët korrektues, ka marrë shqetësimet e tyre lidhur me Ligjin për Pagat, i cili së fundi u miratua nga Kuvendi i Republikës së Kosovës. Ende paraqet problem serioz numri i vogël i punëtorëve socialë krahasuar me numrin e të burgosurve.
Sa u përket çështjeve të ndërlidhura me sigurinë, MKPT-ja ka vërejtur se edhe më tej i ashtuquajturi peper spray me afat të skaduar është pjesë e pajisjeve të zyrtarëve korrektues në QKD.
Përmes Raportit me rekomandime, MKPT-ja i ka rekomanduar Ministrisë së Drejtësisë që ta miratojë legjislacionin sekondar për luftimin e korrupsionit, siç parashihet me Ligjin për Ekzekutimin e Sanksioneve Penale; të bëhen rinovimet e nevojshme në Pavijonin 8; të furnizohet kuzhina me pajisje adekuate, sipas vlerësimit, në mënyrë që të ndërmerren hapa konkret për ndërprerjen e praktikës së përdorimit të pajisjeve të improvizuara elektrike; të burgosurit të furnizohen me dollapë për vendosjen e gjësendeve të tyre; të funksionalizohet salla e sportit; të funksionalizohet njësia ekonomike; në spitalin e burgut të gjendet zgjidhje adekuate për të ofruar qasje adekuate në katin e dytë për pacientët me aftësi të kufizuara; të angazhohet personeli i nevojshëm korrektues, sipas vlerësimit të nevojave; të vendosen kamerat e sigurisë aty ku mungojnë; të shtohet numri i punëtorëve socialë bazuar në numrin e të burgosurve në QKD; të adresohen nevojat e zyrtarëve korrektues sa u përket kushteve të punës dhe të shqetësimeve të tyre lidhur me statusin e tyre që ndërlidhet me Ligjin për Pagat; të hiqet nga përdorimi peper spray me afat të skaduar.
Zyra për Marrëdhënie me Publikun – IAP