Avokati i Popullit publikoi Raportin me rekomandime të MKPT-së për Qendrën e Paraburgimit në Mitrovicë
Prishtinë, 1 korrik 2019 –Raporti në fjalë i referohet vizitës nga Mekanizmi Kombëtar për Parandalim të Torturës (MKPT), si pjesë e Institucionit të Avokatit të Popullit, të realizuar më 12 mars 2019. Qëllimi i kësaj vizite ishte vlerësimi i respektimit të të drejtave të njeriut për të burgosurit e akomoduar në Qendrën e Paraburgimit në Mitrovicë (QPM), të cilat u garantohen me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, me ligjet e aplikueshme në Republikën e Kosovës, si dhe me standardet ndërkombëtare për mbrojtjen e të drejtave të të burgosurve.
Gjatë vizitës së QPM-së të realizuar nga MKPT-ja, personeli i shërbimit korrektues dhe personeli i Departamentit Shëndetësor të Burgjeve i ofruan ekipit monitorues bashkëpunim të plotë. MKPT-ja nuk ka marrë asnjë ankesë për keqtrajtim fizik apo përdorim të tepruar të forcës fizike nga zyrtarët korrektues.
Sa u përket kushteve të akomodimit, MKPT-ja ka vërejtur se në përgjithësi kushtet e akomodimit janë në pajtim me Ligjin për Ekzekutimin e Sanksioneve Penale, me Standardet ndërkombëtare për mbrojtjen e të drejtave të të burgosurve dhe me Standardet e Komitetit Evropian për Parandalim të Torturës. Megjithatë, në një pjesë të QPM-së, në disa qeli, janë vërejtur dëmtime të dyshemeve.
Sa i përket regjimit, MKPT-ja ka vërejtur se në dispozicion të të burgosurve janë edhe pesë punëtori, në të cilat angazhohen për punë dhe për trajnime profesionale. Të burgosurit kanë të drejtë për, së paku dy orë në ditë, shëtitje siç përcaktohet me Ligjin për Ekzekutimin e Sanksioneve Penale. Përveç kësaj, në dispozicion të të burgosurve janë edhe biblioteka, shëtitoret dhe salla e fitnesit.
MKPT-ja ka vërejtur se gjatë këtij viti ka pasur raste të rralla të incidenteve ndërmjet të të burgosurve, të cilat nuk ishin të natyrës serioze. Këto incidente janë evidentuar në formularë përkatës administrativë dhe mjekësorë.
Shërbimet shëndetësore në QPM ofrohen nga njësia shëndetësore në kuadër të kësaj qendre, nga spitalet rajonale dhe nga Qendra Klinike Universitare e Kosovës. MKPT-ja vlerëson se këto shërbime mbeten në nivel të kënaqshëm. MKPT-ja nuk ka marrë nga të burgosurit ankesa përkitazi me shërbimet mjekësore të cilat u ofrohen në këtë qendër.
Në pajtim me legjislacionin në fuqi, të burgosurit e sapo pranuar i nënshtrohet kontrolleve mjekësore brenda 24 orëve nga koha e pranimit. Konfidencialitetit i shërbimeve mjekësore ruhet në pajtim me legjislacionin në fuqi dhe me standardet ndërkombëtare për të drejtat e të burgosurve.
Gjatë vizitës, MKPT-ja ka pranuar shqetësimet e punëtorëve socialë rreth përkthimit të dokumentacionit zyrtar në gjuhët zyrtare të Republikës së Kosovës, sepse dokumentacioni u vjen në njërën nga gjuhët zyrtare, ndërsa në këtë qendër akomodohen të burgosur të përkatësive të ndryshme etnike.
Gjatë vizitës, MKPT-ja ka vërejtur se kontakti i të burgosurve me botën e jashtme mbetet në nivel të kënaqshëm dhe hapësirat ku pranohen vizitat familjare janë në nivel të kënaqshëm sa u përket kushteve fizike dhe nuk ka barriera, të cilat do ta pengonin kontaktin e drejtpërdrejtë ndërmjet familjarëve dhe të të burgosurve.
Përmes këtij Raporti me rekomandime, MKPT-ja i rekomandon Ministrisë së Drejtësisë që, sipas nevojës, të rinovohen dyshemetë e dëmtuara në qeli dhe të sigurohet përkthimi profesional në gjuhët zyrtare të Republikës së Kosovës.
Zyra për Marrëdhënie me Publikun – IAP