Avokati i Popullit: Në Kosovë përbën shkelje serioze të të drejtave të fëmijëve

12/06/2019

Prishtin,12 qershor 2019 – Rreth 152 milionë vajza dhe djem në botë angazhohen në punë. Më 12 qershor, në mbarë botën shënohet Dita Ndërkombëtare Kundër Punës së Fëmijëve. Kjo ditë ka për qëllim ndërgjegjësimin për punën e rëndë të fëmijëve si dhe inkurajimin për veprime institucionale dhe shoqërore për t’i dhënë fund kësaj dukurie. Puna e fëmijëve përkufizohet si punë që dëmton mirëqenien e fëmijës dhe pengon edukimin, zhvillimin dhe jetën e tij/saj të ardhshme. Puna e fëmijëve është punë e cila, me natyrën ose me mënyrën se si zhvillohet, dëmton, abuzon dhe shfrytëzon fëmijën dhe ia mohon të drejtën për arsimim.

Një ndër format e punës në të cilën angazhohen fëmijët është edhe ajo e fëmijëve në situatë rruge. Avokati i Popullit, në raportin Ex-officio, i publikuar më 22 maj 2019, vuri në pah se situata aktuale e fëmijëve në situatë rruge në Kosovë përbën shkelje serioze të të drejtave të fëmijëve, përkatësisht shkelje të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, të standardeve ndërkombëtare dhe të legjislacionit përkatës në fuqi. Fëmijët në situatë rruge mbijetojnë duke pastruar xhamat e automjeteve, duke shitur gjësende të imëta, duke kërkuar lëmoshë apo duke kërkuar nëpër kontejnerë. Ata jetojnë në kushte jo të mira fizike, sociale, psikologjike, përballen me mungesë të ushqimit, me mungesë të veshmbathjes, pa kujdesin e duhur higjenik dhe shëndetësor. Ata e kanë të pamundur ta ndjekin shkollimin dhe, me vetë faktin se gjenden në rrugë, janë të pambrojtur dhe në rrezik të përhershëm për abuzim dhe shfrytëzim.

Prandaj apelojmë te institucionet shtetërore për ndërmarrjen e masave konkrete për parandalimin dhe për eliminimin e formave të rrezikshme të punës së fëmijëve në Kosovë, me qëllim të mbrojtjes së shëndetit dhe të mirëqenies së tyre për një jetë normale dhe të dinjitetshme.