Featured Image

Mekanizmi Kombëtar për Parandalimin e Torturës, prezantoi Raportin vjetor

28/06/2019

Prishtinë, 26 qershor 2019 – Mekanizmi Kombëtar për Parandalimin e Torturës (MKPT), si pjesë e Institucionit të Avokatit të Popullit, organizoi konferencë për shënimin e 26 Qershorit, Ditës Ndërkombëtare në Përkrahje të Viktimave të Torturës. Qëllimi i kësaj konference ishte prezantimi i Raportit vjetor te Mekanizmit si dhe diskutimi i sfidave dhe zbatimit të rekomandimeve të adresuara tek institucionet përgjegjëse.

Avokati i Popullit, z. Hilmi Jashari, theksoi rolin dhe rëndësinë e Mekanizmit Kombëtar për Parandalimin e Torturës dhe mekanizmave të tjerë relevant, në mbrojtjen dhe respektimin e lirive dhe të drejtave të personave të privuar nga liria dhe detyrimet që shteti i ka ndaj standardeve të zbatueshme në sistemin juridik.

Ndërkaq, Ministri Mustafa dhe panelistët e tjerë, shprehen vullnetin e tyre për një angazhim edhe më të madh ne raport me zbatimin e rekomandimeve të dala nga MKPT, por edhe për sa i përket bashkëpunimit dhe koordinimit ndërinstitucional, me qëllimin e vetëm për respektimin e të drejtave të personave të privuar nga liria.

Pjesëmarrës në këtë konferencë ishin Z. Ekrem Mustafa, Ministër i Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB), Z. Nehat Thaçi, Drejtori i Përgjithshëm i Shërbimit Korrektues të Kosovës, përfaqësues nga Ministria e Drejtësisë, përfaqësues nga Ministria e Shëndetësisë,  Policia e Kosovës, Inspektorati i Burgjeve, Inspektorati Policor i Kosovës, përfaqësues nga Institucionet e Shëndetit Mendor, përfaqësues nga Ambasadat e akredituara në Republikën e Kosovës si dhe përfaqësues nga shoqëria civile. ​

Zyra për Marrëdhënie me Publikun