Avokati i Popullit publikoi Raportin përkitazi me mungesën e mjeteve juridike efektive për zgjidhjen e kontesteve të punës së nëpunësve civilë dhe të kandidatëve për pranim në shërbimin civil

18/06/2019

Prishtinë, më 18 qershor 2019

Avokati i Popullit, në kuadër të ushtrimit të kompetencave dhe të përgjegjësive të tij ligjore, publikoi Raportin me Rekomandime Ex officio nr. 421/2019, lidhur me mungesën e mjeteve juridike efektive për zgjidhjen e kontesteve të punës së nëpunësve civilë dhe të kandidatëve për pranim në shërbimin civil.

Avokati i Popullit, duke pasur parasysh domosdoshmërinë që qytetarëve t’u ofrohet e drejta e garantuar kushtetuese dhe ligjore për mjete juridike efektive për vendosjen e kontesteve nga marrëdhënia e punës, nëpërmjet këtij raporti synon t’ia tërheqë vëmendjen Kuvendit të Republikës së Kosovës për nevojën e ngutshme për emërimin e anëtarëve të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës.

Për shkak të pamundësisë së shqyrtimit të ankesave të paraqitura dhe të pamundësisë së nxjerrjes së vendimeve nga Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës, në kundërshtim me të drejtën e garantuar për mjete efektive juridike, si dhe në kundërshtim me të drejtën për gjykim brenda një afati të arsyeshëm, Kuvendi i Republikës së Kosovës ka obligim kushtetues dhe ligjor t’i emërojë sa më parë anëtarët e Këshillit dhe të bëjë funksionalizimin e tij.

Ky Raport me rekomandime është përcjellë tek autoriteti përgjegjës dhe i njëjti është publikuar në ueb-faqen zyrtare të IAP-së. LINK