Institucioni i Avokatit të Popullit në bashkëpunim me Zyrën Kombëtare të Auditimit në Kosovë organizuan tryezën me temën: “Mjedisi i sigurt dhe i shëndetshëm – e drejtë e njeriut dhe përgjegjësi kushtetuese”
Prishtinë, më 5 qershor – Institucioni i Avokatit të Popullit në bashkëpunim me Zyrën Kombëtare të Auditimit në Kosovë, me rastin e shënimit të Ditës Botërore të Mjedisit, organizuan tryezën me temën: “Mjedisi i sigurt dhe i shëndetshëm – e drejtë e njeriut dhe përgjegjësi kushtetuese”.
Qëllimi i organizimit të tryezës ishte diskutimi për gjendjen e mjedisit në Kosovë dhe për problemet mjedisore me të cilat ballafaqohet vendi, me qëllim të gjetjes së modaliteteve për adresim adekuat të problemeve mjedisore nga ana e institucioneve kompetente në vend. Tryeza kishte për qëllim që të vë në pah rëndësinë e bashkëpunimit të institucioneve publike me Avokatin e Popullit dhe me Auditorin e Përgjithshëm për zbatimin e rekomandimeve të adresuara institucioneve të nivelit qendror dhe të nivelit lokal, me qëllim të përmirësimit të gjendjes së mjedisit në vend.
Në tryezë morën pjesë përfaqësuesit e Kuvendit të Republikës së Kosovës, të Zyrës së BE-së në Kosovë, të organeve të drejtësisë, të Policisë së Kosovës, të Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, të institucioneve tjera të nivelit qendror dhe lokal, të organizatave ndërkombëtare në vend dhe përfaqësues nga shoqëria civile.
Avokati i Popullit z. Hilmi Jashari dhe Auditori i Përgjithshëm z. Besnik Osmani prezantuan para të pranishmëve të gjeturat në raportet e fundit të publikuara nga këto dy institucione drejtuar institucioneve kompetente në vend, lidhur me gjendjen e mjedisit dhe rekomandimet e adresuara institucioneve përgjegjëse për adresim të problemeve të shumta mjedisore, me qëllim që qytetarëve t’u garantohet e drejta për mjedis të sigurt dhe të shëndetshëm.
Përfaqësuesja e Zyrës së BE-së në Kosovë theksoi se, sipas Raportit të Progresit për Kosovën për vitin 2019, problemet mjedisore në Kosovë dhe mungesa e vullnetit politik të institucioneve për ndërmarrjen e masave adekuate për mbrojtjen e mjedisit kanë ndikuar në mirëqenien dhe në shëndetin e qytetarëve.
Anëtari i Komisionit Parlamentar për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural dhe Planifikim Hapësinor, z. Salih Zyba, ka theksuar se Kosova ka gjerësisht të harmonizuar legjislacionin vendor me legjislacionin e BE-së në fushën e mjedisit, mirëpo edhe më tutje mungon zbatimi i tyre në praktikë nga ana e institucioneve përgjegjëse shtetërore. Drejtoresha ekzekutive e BIRN-it, znj. Jeta Xharra, duke folur në emër të KOSID (Konsorciumi i Shoqërisë Civile të Kosovës për Zhvillim të Qëndrueshëm) shprehu pakënaqësinë ndaj institucioneve në vend për mosarritjen e ndërmarrjes së masa efektive për adresimin e problemeve mjedisore, e sidomos të procedurave lidhur me dhënien e pëlqimeve mjedisore dhe ujore. Sipas saj, shpeshherë qytetarëve u është cenuar edhe e drejta për pjesëmarrje në vendimmarrje për çështje me interes vital për mbrojtje të mjedisit. Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë z. Imer Beka theksoi se Prokuroria Themelore ne Prishtinë ballafaqohet me një numër të konsiderueshëm të lëndëve të natyrës mjedisore, mirëpo mungesa e prokurorëve ka ndikuar në mosprofilizimin e tyre për të trajtuar çështje nga lëmi përkatës.