Avokati i Popullit publikoi Raportin me rekomandime lidhur me vizitën e Mekanizmit Kombëtar për Parandalim të Torturës (MKPT), në Qendrën Korrektuese për Femra dhe të Mitur në Lipjan

24/05/2019

Prishtinë, 24 Maj 2019

Raporti në fjalë i referohet vizitës së Mekanizmit Kombëtar për Parandalim të Torturës (MKPT), realizuar  më  23 dhe 24 Janar 2019, në Qendrën Korrektuese Edukuese për Femra dhe të Mitur në Lipjan (në tekstin e mëtejmë “QKFM”).

Qëllimi i kësaj vizite ishte monitorimi i zbatimit të rekomandimeve të MKPT-së, të cilat i`u dërguan autoriteteve kompetente, përmes raportit me rekomandime, të publikuar më 20 dhjetor 2016. Përveç kësaj, gjatë vizitës u trajtua edhe çështja e procedurave të pranimit të femrave madhore dhe të miturve, njoftimi me të drejtat e tyre, trajtimi, kushtet e akomodimit, regjimi, kujdesi shëndetësor, incidentet ndërmjet të burgosurve, aktivitetet në dispozicion, kontaktet me botën e jashtme, procedurat e parashtrimit të ankesave dhe masat disiplinore.

Gjatë vizitës së MKPT në Qendrën Korrektuese për Femra dhe të Mitur në Lipjan, personeli i Shërbimit Korrektues dhe personeli i Departamentit Shëndetësor të Burgjeve, i ofruan ekipit monitorues bashkëpunim të plotë, ekipi pa vonesa pati qasje të papenguar në të gjitha vendet e vizituara.

MKPT, si edhe gjatë vizitës në vitin 2016, sërish ka vërejtur se janë të nevojshme renovimet në hapësirat ku akomodohen të miturit e gjinisë mashkullore. Poashtu, MKPT ka vërejtur se tualetet janë të dëmtuara, në disa qeli kishte lagështi dhe kushtet higjienike nuk ishin në nivel të duhur.  MKPT, ka vërejtur se shtretërit e të miturve nuk kanë çarçafë, dyshekët janë jocilësorë, si dhe batanijet janë shumë të vjetruara. Kurse, qelitë ku qëndronin të miturit, sa i përket madhësisë dhe ndriçimit natyral, janë në pajtim me standardet e përcaktuar nga Komiteti Evropian për Parandalim të Torturës  dhe  Ligji për Ekzekutimin e Sanksioneve Penale.

Kushtet materiale në pavijonet ku akomodohen femrat, në përgjithësi janë të mira dhe në pajtim me standardet nacionale dhe ndërkombëtare. Qelitë kanë ndriçim të mjaftueshëm, madhësia e qelive është në pajtim me standardet e KPT dhe Ligjin për Ekzekutimin e Sanksioneve Penale.

Poashtu, MKPT-ja, ka vizituar edhe Shtëpinë e Nënave, në të cilën akomodohen femrat e dënuara shtatzëna dhe ato që kanë fëmijë. Kushtet në këtë shtëpi janë të mira dhe plotësonin kushtet për mbajtje dhe rritjen e fëmijës deri në moshën e përcaktuar me standardet ndërkombëtare.

MKPT, ka vërejtur se kushtet higjienike në kuzhinë ishin në nivelin e duhur. Stafi i kuzhinës dhe të burgosurit e angazhuar në punë janë të pajisur me libreza sanitare. MKPT, nuk ka pranuar ankesa nga të burgosurit sa i përket sasisë dhe kualitetit të ushqimit, i cili u servohet.

Në Qendrën Korrektuese për Femra dhe të Mitur në Lipjan, funksionon shkolla e mesme e ultë dhe shkolla e mesme e lartë në kuadër të sistemit publik të arsimit. Në kohën kur QKFM u vizitua nga ekipi i MKPT, shkolla nuk ishte funksionale, për shkak të grevës në shkollat publike.

Neni 139 i Kodit të Drejtësisë për të Mitur, përcakton se i mituri ka të drejtë të kalojë të paktën tri orë në ditë në ambient të hapur brenda institucionit. MKPT ka vërejtur se të miturve u garantohen tri orë shëtitje në ajër të pastër. Poashtu, në dispozicion të të miturve janë edhe aktivitetet sportive, programi EQUIP dhe angazhimi në punë, i cili gjatë stinës së verës është më i madh, pasi që QKMF posedon edhe një serrë, në të cilën mund të angazhohen në punë të burgosurit. Sipas drejtorisë së qendrës, për momentin ofrohen trajnime profesionale për hidro-instalues, elektro-instalues dhe ndërtimtari.

Nga të dënuarat femra, MKPT u njoftua se atyre u mundësohet shëtitja jashtë qelisë dy herë në ditë nga një orë, gjë që është në pajtim me nenin 37 të Ligjit për Ekzekutimin e Sanksioneve Penale. MKPT ka vërejtur se femrat e dënuara janë të angazhuara me punë në kuzhinë dhe pastrim. Sa i përket vijimit të kurseve, siç janë rrobaqepësia dhe floktaria, për momentin nuk ka femra të angazhuara.

Sa i përket shërbimeve shëndetësore, MKPT konstaton se niveli i shërbimeve mjekësore të ofruara në QKFM, mbetet në nivel të kënaqshëm. MKPT, bazuar në intervistat e zhvilluara me të miturit, si  dhe personelin shëndetësor, konstaton se këto shërbime jepen nën kushte, të cilat respektojnë konfidencialitetin.

Gjatë vizitës, MKPT ka pranuar ankesa nga personeli korrektues, lidhur me numrin e vogël të zyrtarëve korrektues. Poashtu, një nga ankesat e shpeshta, të cilat i pranon MKPT nga zyrtarët korrektues, është edhe çështja e llogaritjes së stazhit të beneficuar.

Në bazë të të gjeturave dhe konstatimeve të arritura gjatë vizitës, në pajtim me nenin 135 paragrafi 3 i Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe nenin 16 paragrafi 4 i Ligjit 05/L019 për Avokatin e Popullit, Avokati i Popullit i rekomandon:

Ministrisë së Drejtësisë:

  • Të përmirësohen kushtet e akomodimit në pavijonet ku mbahen të miturit e paraburgosur dhe në pavijonet tjera, kur një gjë e tillë është e nevojshme.
  • Të zbatohet dispozita përkatëse e Ligjit për Ekzekutimin e Sanksioneve Penale sa i përket stazhit të beneficuar.