Avokati i Popullit publikoi Raportin me rekomandime lidhur me vizitën e Mekanizmit Kombëtar për Parandalim të Torturës (MKPT), në Shtëpinë e Fëmijëve me aftësi të kufizuara mendore në Shtime

06/05/2019

Prishtinë, 06 Maj 2019

Ky raport bazohet në gjetjet e MKPT, të realizuara gjatë vizitave më 9 Gusht 2018 dhe më 31 Janar 2019, në Shtëpinë e Fëmijëve në Shtime. Më 9 gusht 2018, vizita u realizua nga ekipi i MKPT-së dhe dy ekspertë të Këshillit të Evropës (në tekstin e mëtejmë “KE”), në cilësi të vëzhguesve. Ndërsa, vizita më 31 janar 2019 ishte vizitë përcjellëse, e cila u realizua nga ekipi monitorues i MKPT-së.

Gjatë vizitës së MKPT-së, personeli i Shtëpisë së Fëmijëve në Shtime, i ofroi bashkëpunim të plotë ekipit monitorues. Ekipi, pa vonesa, pati qasje në të gjitha hapësirat dhe i`u mundësuan bisedat me rezidentët, të cilët ishin të vetëdijshëm dhe ishin në gjendje të komunikonin me ekipin, si dhe biseda u realizua pa prezencën e stafit.

Shtëpia e Fëmijëve në Shtime, është institucion i tipit të hapur, ku rezidentët janë me diagnozën Pa aftësi në Mësim (Prapambetje mendore). Gjatë vizitës, MKPT-ja, ka konstatuar se janë të vendosur 10 persona të moshave të ndryshme (aq sa është kapaciteti i saj).

Gjatë vizitës, MKPT-ja ka vërejtur një klimë pozitive dhe marrëdhënie të mira mes rezidentëve dhe stafit, qasje të afërt, të ngrohtë e miqësore nga ana e stafit ndaj rezidentëve. MKPT-ja nuk ka rastisur në shenja të lëndimeve trupore tek rezidentët.

Gjatë vizitës së realizuar më 9 gusht 2018, MKPT-ja, ka vërejtur se kushtet materiale për banorët në përgjithësi, ishin shumë të dobëta. Përveç kësaj, institucioni përballej me mungesa të veshmbathjeve dhe të mbulesave të përshtatshme. MKPT-ja, gjatë kësaj vizite, ka konstatuar se nevojitet riparimi urgjent brenda dhe jashtë Shtëpisë.

Gjatë vizitës përcjellëse më 31 janar 2019, MKPT-ja konstatoi se objekti në fjalë është riparuar në masë të madhe, megjithatë, MKPT-ja ka vërejtur se kuzhina ka nevojë për riparime për ta bërë atë adekuate dhe të sigurtë për përdorim.

Sa i përket aktiviteteve psiko-sociale dhe rekreative, MKPT-ja konstaton se numri dhe cilësia e aktiviteteve është e varfër dhe nuk ka plan të individualizuar të trajtimit sipas nevojave dhe aftësive të rezidentëve.

Shërbimi shëndetësorë dhe psikiatrik është i përbashkët me Institutin Special në Shtime. Gjatë vizitës, MKPT-ja ka vërejtur se Shtëpia e Fëmijëve në Shtime, tani ka një dhomë mjekësore për t’i kryer shërbimet mjekësore, ku në të njëjtën dhomë mbahen edhe dosjet shëndetësore edhe barnat. Furnizimi me barna bëhet nga MPMS-ja dhe është i rregullt. MKPT-ja vlerëson se duhet të krijohet një hapësirë e veçantë për fizioterapi dhe ta angazhojnë edhe fizioterapeutin.

MKPT-ja ka vërejtur se, tek rezidentët që përdornin Clozapinën, nuk ka dëshmi se është bërë matja e qelizave të bardha të gjakut, sipas rekomandimeve të bazuara në evidenca.

Në bazë të të gjeturave dhe konstatimeve të arritura gjatë vizitës, në pajtim me nenin 135, paragrafi 3, të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe me nenin 16, paragrafi 4, të Ligjit 05/L019 për Avokatin e Popullit, Avokati i Popullit i rekomandon Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale:

  • T’i furnizojë rezidentët me veshmbathje të përshtatshme për të gjitha stinët e vitit;
  • Të krijojë hapësirë të veçantë për fizioterapi;
  • Të ofrojë shërbime të veçanta siç janë terapia okupacionale ose mbështetëse;
  • Ta furnizojë Shtëpinë e Fëmijëve në Shtime me materiale pune për zhvillim të aktiviteteve, si dhe të shtohen aktivitetet psiko-sociale;
  • Ta riparojë kuzhinën sipas nevojës;
  • Të krijojë plane individuale të trajtimit për rezidentët;
  • Rezidentëve të cilët përdorin Clozapine t’u bëhen analizat e gjakut në baza të rregullta.