Avokati i Popullit publikoi Raportin me rekomandime lidhur me vizitën e Mekanizmit Kombëtar për Parandalim të Torturës (MKPT), në Qendrën Korrektuese në Smrekonicë

21/05/2019

Prishtinë, 20 Maj 2019

Mekanizmi Kombëtar për Parandalimin e Torturës (MKPT), i Avokatit të Popullit, më 6 shkurt 2019 ka vizituar Qendrën Korrektuese në Smrekonicë.

Qëllimi i kësaj vizite ishte vlerësimi i përgjithshëm i respektimit të të drejtave të të dënuarve, shërbimeve shëndetësore të cilat ofrohen për të dënuarit, si dhe kushtet e akomodimit në pajtim me standardet vendore dhe ato ndërkombëtare për mbrojtjen e personave të privuar nga liria.

Gjatë vizitës së MKPT në Qendrën Korrektuese në Smrekonicë, personeli i shërbimit korrektues dhe personeli i Departamentit Shëndetësor të Burgjeve, i ofruan ekipit monitorues bashkëpunim të plotë, ekipi pa vonesa pati qasje të papenguar në të gjitha vendet e vizituara.

MKPT, ka vërejtur se qelitë ku qëndronin të dënuarit, sa i përket madhësisë dhe ndriçimit natyral dhe artificial, në shumicën e qelive ku akomodohen të dënuarit, janë në pajtim me standardet e përcaktuara nga KPT1 (në tekstin e mëtejmë KPT) dhe Ligjin për Ekzekutimin e Sanksioneve Penale.2 Përveç në një rast, ku MKPT ka vërejtur se në një qeli ishin vendosur 7 persona, ndërsa madhësia e qelisë ishte 25m2. Ndërsa, sa i përket dusheve dhe tualeteve në krahun D dhe C, MKPT ka vërejtur se nuk ishin në gjendje të kënaqshme. MKPT, në katin e dytë të ndërtesës, ka vërejtur se është i nevojshëm renovimi urgjent i kulmit, nga ku depërtojnë të reshurat atmosferike dhe në disa qeli vërehej depërtimi i lagështisë në tavane të qelive.

 Poashtu, MKPT ka vërejtur se kushtet higjienike në kuzhinë ishin në nivelin e duhur. Stafi i kuzhinës janë të pajisur me libreza sanitare. Përveç stafit, të pajisura me libreza sanitare ishin edhe të dënuarit e angazhuar në punë. MKPT nuk ka pranuar ankesa nga të burgosurit, sa i përket sasisë dhe kualitetit të ushqimit i cili u servohet.

Sipas drejtorisë, në përgjithësi  të dënuarit  janë të angazhuar në punë, si në pastrim, kuzhinë dhe mirëmbajtje të caktuara të objektit, ndërsa, gjatë stinës së verës angazhimi në punë rritet dukshëm, pasi që QKS posedon serrë ku kultivohen perimet. Megjithatë, është për keqardhje që punëtoritë në dispozicion, nuk mund të shfrytëzohen ende, për shkak të mungesës së personave kompetent, të cilët do të mbikqyrnin punën e të dënuarve nga aspekti profesional.

Sa i përket shërbimeve mjeksore, MKPT ka pranuar një numër ankesash nga të dënuarit lidhur me vonesat për të ofruar shërbime mjeksore, mungesë të shërbimeve mjeksore gjatë natës nëse është e nevojshme, si dhe ankesa me pretendimin se, psikiatri është shumë rrallë prezentë në QKS, për të ofruar shërbimet e nevojshme mjekësore. Sa i përket konfidencialitetit të shërbimeve mjeksore, MKPT, bazuar në intervistat e zhvilluara me të burgosurit dhe personelin shëndetësor, konstaton se këto shërbime jepen nën kushte të cilat respektojnë konfidencialitetin, respektivisht jepen pa prezencë të zyrtarëve korrektues, përveç në raste kur prezenca e tyre kërkohet nga mjeku.

MKPT, konsideron se kontaktet me botën e jashtme, veçanërisht vizitat nga familja apo të afërmit tjerë, janë të rëndësisë thelbësore në kontekstin e rehabilitimit social të të burgosurve. Sa i përket thirrjeve telefonike, neni 60 i Ligjit për Ekzekutimin e Sanksioneve Penale, përcakton se i dënuari ka të drejtë të bëjë thirrje telefonike.

Gjatë vizitës, MKPT ka vërejtur se në dispozicion të të burgosurve në QKS, gjenden kutitë e ankesave, të vendosura nga Shërbimi Korrektues i Kosovës, kutitë e ankesave të vendosura nga Institucioni i Avokatit të Popullit dhe ato të DSHB. Kutitë e ankesave të vendosura nga Institucioni i Avokatit të Popullit, mund të hapen vetëm nga personeli i këtij institucioni, gjë që për ankuesit ofron konfidencialitet në parashtrimin e ankesës. Poashtu, të akomoduarit mund t’i drejtojnë ankesë Avokatit të Popullit edhe përmes linjës telefonike pa pagesë (informatat për linjën telefonike janë të vendosura në kutit e ankesave), postës së rregullt, e cila sipas Ligjit për Ekzekutimin e Sanksioneve Penale nuk i nënshtrohet kontrollit, nëse i adresohet Avokatit të Popullit të Kosovës, si dhe përmes familjarëve të tyre.

MKPT, ka pranuar një numër të konsiderueshëm të ankesave nga të dënuarit në QKS, kundër Panelit për Lirim me Kusht. Ankesat kanë të bëjnë me mos njoftimin për mbajtje të seancës në Panel dhe mos dërgimin e Aktvendimit lidhur me kërkesën për lirim me kusht.

Në bazë të të gjeturave dhe konstatimeve të arritura gjatë vizitës, në pajtim me nenin 135 paragrafi 3 i Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe nenin 16 paragrafi 4 i Ligjit 05/L019 për Avokatin e Popullit, Avokati i Popullit i rekomandon:

Ministrisë së Drejtësisë:

  • Të rinovohet kulmi i pavijonit ku akomodohen të dënuarit.
  • Të funksionalizohen punëtoritë në QKS.