Avokati i Popullit publikoi Raportin me rekomandime lidhur me vizitën e Mekanizmit Kombëtar për Parandalim të Torturës (MKPT), në Qendrën e Mbajtjes për të Huajt-Vranidoll
Prishtinë, 06 Maj 2019
Mekanizmi Kombëtar për Parandalim të Torturës (MKPT), më 13 Shkurt 2019, e ka vizituar Qendrën e Mbajtjes për të Huajt (në tekstin e mëtejmë “QMH”), e cila funksionon në kuadër të Departamentit për Shtetësi, Azil dhe Migrim (DSHAM) i Ministrisë së Punëve të Brendshme.
Qëllimi i kësaj vizite ishte monitorimi i respektimit të të drejtave për të huajt, të cilët mbahen në QMH, të cilat parashihen me Ligjin për të Huajt, me Ligjin për Azil, me Rregulloren nr. 04/2018 për Funksionimin e Qendrës së Mbajtjes për të Huajt, me standardet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, si dhe zbatimi i rekomandimeve të MKPT-së, dërguar autoriteteve kompetente përmes raportit me rekomandime, i publikuar më 2 maj 2018.
Gjatë vizitës në QMH, personeli i Qendrës i ofroi MKPT-së bashkëpunim të plotë. Ekipi, pa vonesa pati qasje në të gjitha hapësirat e Qendrës. Ekipit i`u siguruan të gjitha informatat e nevojshme për të kryer detyrën dhe i`u mundësua intervistimi i personave që gjendeshin në mbajtje, pa prezencë të zyrtarëve të sigurimit dhe zyrtarëve tjerë të QMH-së.
Në pikëpamje të standardeve ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, paraburgimi (dërgimi i të huajit në mbajtje), duhet të jetë masa e fundit të cilën e zbatojnë autoritetet e një shteti për ta larguar të huajin nga territori, i cili është subjekt i kthimit me forcë.
MKPT-ja, vëren se standardet e përcaktuara nga Komiteti Evropian për Parandalim të Torturës (në tekstin e mëtejmë “KPT”), përcaktojnë shprehimisht se të gjithë të huajt e paraburgosur si emigrantë të parregullt, që nga momenti i privimit nga liria, duhet t’i gëzojnë tri të drejta themelore siç i gëzojnë edhe kategoritë tjera të personave të privuar nga liria. Këto të drejta janë: të kenë qasje tek avokati mbrojtës, të kenë qasje tek mjeku dhe të kenë mundësinë të njoftojnë të afërmit e tyre apo palën e tretë sipas përzgjedhjes së tyre, për faktin se janë paraburgosur.
Sa i përket së drejtës së të huajit për të kontaktuar konsullatën apo ambasadën e shtetit, MKPT-ja vëren se Ligji për të Huajt, përcakton të drejtën e të huajit për të njoftuar përfaqësuesin diplomatik apo konsullor, lidhur me ndalimin e tij.
Sipas Rregullores, i huaji i vendosur në këtë Qendër ka të drejtat në vijim: informimi lidhur me të drejtën e ankimit për ndalimin në Qendër, të drejtën lidhur me ndihmën juridike falas, të drejtën për përkthyesin në gjuhën e tij ose në një gjuhën të cilën ai/ajo e kupton, të drejtën për të komunikuar me organet dhe organizatat relevante vendore apo ndërkombëtare, si dhe me organizatat joqeveritare.
MKPT-ja ka vërejtur se të gjitha korridoret e QMH-së mbulohen nga kamerat e sigurisë, të cilat janë garanci shtesë kundër keqtrajtimit fizik, si dhe mbrojtje për personelin nga akuzat e rrejshme.
Sa i përket së drejtës për t’u informuar në gjuhën e tyre apo në gjuhën të cilën të huajt e paraburgosur e kuptojnë, MKPT-ja, gjatë vizitës, ka vërejtur se të huajt në QMH, informohen për të drejtat e tyre, përmes broshurave të shkruara në gjuhët më të shpeshta dhe në gjuhën arabe.
Gjatë vizitës në Qendër, MKPT-ja, ka vizituar dy objektet ku mbahen të huajt dhe konsideron se kushtet e akomodimit të QMH, janë në nivel shumë të mirë.
Komiteti Evropian për Parandalim të Torturës (në tekstin e mëtejmë “KPT”), thekson se karakteri i një institucioni të paraburgimit për të huajt për shkak të imigrimit nuk duhet të jetë i tipit të burgut, që do të thotë se personeli i cili punon në qendrën e mbajtjes për të huajt, nuk duhet të jetë i pajisur me shufra gome, pranga apo pepper spray dhe ka rekomanduar që pajisjet e tilla të mos barten në atë mënyrë që të shihen haptazi nga të huajt.
Sa u përket shërbimeve shëndetësore, Rregullorja përcakton se i huaji, gjatë qëndrimit në QMH, ka të drejtë për shërbime mjekësore. Të huajve që mbahen në QMH, shërbimet mjekësore u jepen nga Qendra e Mjekësisë Familjare (QMF) më e afërt dhe sipas nevojës dërgohen për shërbime spitalore regjionale dytësore apo edhe në Qendrën Klinike Universitare (QKUK), ku u ofrohen edhe shërbimet shëndetësore terciare, pasi që QMH-ja ende nuk ka personel mjekësor.
Sipas Rregullores, masat disiplinore të cilat mund t’i shqiptohen të huajit janë: vërejtja me gojë apo me shkrim, detyrimi për mirëmbajtjen dhe pastrimin e Qendrës, heqja e së drejtës për aktivitete të lira, për rekreacion, për tv, për internet, heqja e së drejtës për aktivitete kulturore dhe sportive në kohëzgjatje deri në 5 ditë dhe izolimi deri në 48 orë.
Sipas standardeve të KPT-së, të ndaluarit e huaj duhet të kenë çdo mundësi për të qenë në kontakt të mirëfilltë me botën e jashtme dhe liria e tyre e lëvizjes brenda qendrës së mbajtjes, duhet të kufizohet sa më pak që të jetë e mundur.
Prandaj, bazuar në të gjeturat gjatë vizitës së realizuar, MKPT-ja i rekomandon Ministrisë së Punëve të Brendshme:
- MKPT-ja, ripërsërit rekomandimin se QMH-ja duhet të ketë në dispozicion së paku një infermiere, e cila do t’i kryente kontrollet mjekësore të sapo pranuarve, do ta shpërndante terapinë dhe do të kujdesej për dosjet mjekësore të të huajve në QMH.
- MKPT-ja, ripërsërit rekomandimin se QMH-ja duhet t’i mbajë protokollet si në vijim: Protokolle për vetminë, për lëndime trupore, për vetëlëndime, për tentim-vetëvrasje, për abuzim seksual dhe të vdekjeve.
- MKPT-ja, ripërsërit rekomandimin se personeli i sigurisë duhet t’u nënshtrohet trajnimeve adekuate për të punuar me këtë kategori.
- MKPT-ja, ripërsërit rekomandimin që, për të gjitha të drejtat dhe obligimet e tyre, të huajt të njoftohen përmes një dokumenti të veçantë, në gjuhën të cilën e kuptojnë dhe në të cilin ata vërtetojnë se i kanë kuptuar të drejtat dhe obligimet e tyre.
- Të huajve, të cilëve u shqiptohet masa disiplinore e izolimit, t’u mundësohet gëzimi i të drejtave, në pajtim me standardet e përcaktuara nga KPT-ja (shih paragrafin nga 45 deri në 48 të këtij raporti).
- Të miratohet një Rregullore disiplinore, e cila do t’i precizojë procedurat disiplinore dhe të drejtat e të huajit, të cilit i shqiptohet një masë e tillë.