Avokati i Popullit publikoi Raportin me rekomandime lidhur me vizitën e Mekanizmit Kombëtar për Parandalim të Torturës (MKPT), në Pikën e kalimit kufitar- Aeroporti Ndërkombëtar “Adem Jashari” në Prishtinë

08/05/2019

Prishtinë, 09 Maj 2019

Raporti në fjalë bazohet në vizitën e Mekanizmit Kombëtar për Parandalim të Torturës (MKPT), realizuar më 13 Shkurt 2019, në Pikën e  kalimit kufitar- Aeroporti Ndërkombëtar “Adem Jashari” në Prishtinë (ANP).

Qëllimi i kësaj vizite ishte vlerësimi i përgjithshëm i respektimit të të drejtave për të huajt, të cilët, bazuar në Ligjin për të Huajt në Republikën e Kosovës dhe në ligjet tjera relevante, nuk mund të hyjnë në territorin e Republikës së Kosovës, janë subjekt i kthimit në vendet nga kanë ardhur apo mbahen përkohësisht në hapësirat e mbajtjes në pikën hyrëse të ANP-së.

Gjatë vizitës në këtë pikë të kalimit kufitar, bashkëpunimi i zyrtarëve policorë, të cilët ishin në detyrë, me MKPT-në, ka qenë i plotë. Ekipi ka pasur qasje të papenguar në të gjitha vendet e vizituara dhe i`u siguruan të gjitha informatat e nevojshme për ta kryer detyrën.

Gjatë vizitës së  MKPT-së  në  ANP, nuk kishte të huaj të akomoduar në këto hapësira.

MKPT-ja, konsideron se autoritetet kompetente, duhet ta njoftojnë MKPT-në, sa herë që në këto hapësira ka të huaj, të cilët nuk mund ta kalojnë kufirin shtetëror. Në këtë mënyrë do të forcohej mbrojtja e të drejtave themelore të tyre.

MKPT-ja, gjatë vizitës, ka vërejtur se dhomat ofrojnë kushte të mira për akomodim, me inventar të mjaftueshëm për vendosjen e gjësendeve personale, pastërti në nivel të duhur, toalete të furnizuara me mjete higjienike, dushe në gjendje shumë të mirë dhe me dritë artificiale të mjaftueshme. Bazuar në pohimet e zyrtarëve të policisë kufitare, të huajve, të cilët mbahen në këto hapësira, u jepet mundësia të dalin në ajër të pastër në baza ditore.

MKPT-ja konsideron se është shumë e rëndësishme që të huajt, të cilët mbahen në këto hapësira, të kenë kontakte me botën e jashtme.

Sa u përket shërbimeve mjekësore, Njësia shëndetësore, e cila funksionon në kuadër të ANP-së, nuk është pjesë e sistemit shëndetësor të Republikës së Kosovës, por është shërbim i cili organizohet nga ANP-ja. Shërbimet mjekësore ofrohen 24 orë  për personat e ndaluar.

Gjatë vizitës, MKPT-ja, ka vërejtur se në dhomat ku akomodohen të huajt, të cilët nuk mund ta kalojnë kufirin e Republikës së Kosovës, nuk ka informata të vendosura se kujt dhe si mund t’i drejtohen ata nëse kanë ankesa sa i përket trajtimit nga zyrtarët policorë apo nëse duan të dinë për statusin e tyre ligjor dhe për të drejtat e tyre.

Në bazë të të gjeturave dhe konstatimeve të arritura gjatë vizitës në ANP, në pajtim me nenin 135, paragrafi 3, të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe me nenin 16, paragrafi 4, të Ligjit 05/L-019 për Avokatin e Popullit, Avokati i Popullit i rekomandon:

Ministrisë së Punëve të Brendshme:

  • Hapësirat e mbajtjes në pikat hyrëse të ANP-së, të pajisen me informata relevante në gjuhë të ndryshme, përmes së cilave të huajt njoftohen për të drejtat e tyre, për statusin e tyre ligjor, si dhe për të drejtën për të kontaktuar me mekanizmat për mbrojtjen e drejtave të njeriut.
  • Të njoftohet MKPT-ja, sa herë që ka raste kur të huajt akomodohen në pikat hyrëse për mbajtje në ANP dhe për raste të dëbimit të tyre nga territori i Republikës së Kosovës.