Avokati i Popullit, publikoi Raportin me rekomandime Ex. Officio nr. 305/2019 lidhur me të drejtat e personave me HIV dhe AIDS në Kosovë
Prishtinë, 15 maj – Avokati i Popullit, në pajtueshmëri me mandatin e tij kushtetues dhe ligjor, u ka përcjell autoriteteve përgjegjëse dhe ka publikuar Raportin me Rekomandime Ex. Officio nr. 305/2019 lidhur me të drejtat e personave me HIV dhe AIDS në Kosovë, i cili vlerëson çështjet kyçe që ndërlidhen me realizimin efektiv të të drejtave të kësaj kategorie, në raport me qasjen në kujdes dhe trajtim, me fokus të veçantë tek diskriminimi, pabarazia, mbrojtja e privatësisë, dështimi në mbrojtjen e të drejtave, si dhe tek trajtimi pediatrik i fëmijëve që jetojnë me HIV.
Ky raport është iniciuar Ex-Officio (sipas detyrës zyrtare) nga Avokati i Popullit me përkrahjen e Zyrës së Community Development Fund (CDF) dhe duke u bazuar në diskutimet e bëra në takimet e Grupit Avokues[1] të Programit për Parandalimin e HIV-it, takimeve konsultative me organizatat të cilat punojnë në këtë fushë në Kosovë, raportin e Avokatit të Popullit mbi shëndetin riprodhues[2], si dhe të gjeturat nga hetimet e zhvilluara Ex Officio lidhur me këtë Raport.
Qëllimi kryesor i këtij raporti, ishte vlerësimi i aplikimit të standardeve të HIV testimit dhe të këshillimit në nivel vendi, më konkretisht, vlerësimin e aplikimit të parimeve kryesore (dhënia e pëlqimit, konfidencialiteti, këshillimi, korrektësia e rezultateve të testimit dhe ndërlidhjet me shërbimet parandaluese, të kujdesit dhe trajtimit) gjatë HIV testimit, të përcaktuara nga Organizata Botërore e Shëndetësisë.
Raporti konstaton shkelje sa i përket përmbushjes se detyrimeve kushtetuese dhe ligjore kundrejt personave të infektuar me HIV dhe AIDS, sidomos për shkak të mosfunksionimit të aparaturave për matjen e CD4 dhe Ngarkesës Virale, furnizimeve me reagensa, mungesës së terapisë dhe trajtimit pediatrik për fëmijë, obligimit të pacientëve për testim të detyrueshëm për HIV para ndërhyrjeve kirurgjike në të gjitha klinikat në Kosovë etj.
Mbrojtja e të drejtave dhe e lirive themelore të njeriut është thelbësore dhe shumë e rëndësishme për një përgjigje efektive në parandalimin dhe trajtimin e HIV-it në Kosovë. Përkundër faktit se Kosova ka bërë shumë përparime në reagimin ndaj tij, ka ende aspekte që kërkojnë vëmendjen e autoriteteve përgjegjëse, përkitazi me të drejtat e personave të prekur me HIV dhe AIDS, prandaj Avokati i Popullit, bazuar në analizën dhe hetimin e rastit, i ka drejtuar autoriteteve përgjegjëse Raportin me rekomandimet përkatëse, që mëton të ndikoj në përmirësimin e gjendjes sa i përket kësaj çështje.
Raporti në fjalë në formatin e tij të plotë, u është përcjellë mediave dhe gjithashtu e gjeni në ueb faqen e IAP-së, në këtë link