Konferencë përmbyllëse e projektit të Këshillit të Evropës për fuqizimin e Mekanizmit Kombëtar për Parandalim të Torturës, në kuadër të Institucionit të Avokatit të Popullit
Prishtinë, 16 prill 2019 – Me rastin e përmbylljes së projektit “Fuqizimi i Mekanizmit Kombëtar për Parandalim të Torturës”, i financuar nga Këshilli i Evropës, qeveritë zvicerane dhe norvegjeze, dhe zbatuar nga Këshilli i Evropës, u zhvillua Konferenca përmbyllëse, ku morën pjesë të gjitha institucionet relevante në Republikën e Kosovës.
Mekanizmi Kombëtar për Parandalim të Torturës (MKPT) u themelua me vendim të Avokatit të Popullit më 14 janar 2016, pas miratimit të Ligjit 05/L-019 për Avokatin e Popullit dhe funksionon në kuadër të Institucionit të Avokatit të Popullit.
Në kuadër të projektit në fjalë, MKPT-ja iu nënshtrua trajnimeve intensive nga ekspertët e Komitetit Evropian për Parandalim të Torturës për monitorimin e të gjitha vendeve ku mbahen personat e privuar nga liria. Projekti përfshiu shumë konsulentë ndërkombëtarë, anëtarë të tanishëm, të mëparshëm, si dhe ekspertë të Komitetit Evropian për Parandalimin e Torturës (CPT), të cilët në mënyrë efektive e përditësuan MKPT-në për të aplikuar standardet relevante ndërkombëtare dhe të Komitetit Evropian për Parandalimin e Torturës (CPT) në monitorimin e vendeve të privimit nga liria.
Hapjen e konferencës e bëri Z. Daniel Schmidt, udhëheqës i Njësisë për Evropën Juglindore dhe për Turqinë – Divizioni kombëtar për zbatimin e të drejtave të njeriut i Këshillit të Evropës, i cili vlerësoi se vizitat, raportet dhe rekomandimet e MKPT-së janë në pajtim të plotë me standardet e Komitetit Evropian për Parandalim të Torturës, duke e konsideruar projektin si shumë të suksesshëm.
Gjithashtu, u vlerësuan lart rezultatet e arritura, numri i vizitave, i rekomandimeve dërguar autoriteteve kompetente dhe aspekte tjera të funksionimit të MKPT-së në kuadër të IAP-së.
Në fjalimin e tij, Avokati i Popullit, z. Hilmi Jashari falënderoi Këshillin e Evropës, Ambasadën e Zvicrës dhe atë të Norvegjisë për përkrahjen të cilën ia ofruan Institucionit të Avokatit të Popullit në fuqizimi e MKPT-së, që tani më vlerësohet nga ekspertët e Komitetit Evropian për Parandalim të Torturës, si mekanizmi më i suksesshëm në ballkan.
Në vijim, Ambasadori zviceran dhe ai norvegjez vlerësuan lart punën e Avokatit të Popullit dhe të MKPT-së.
Konferencën e nderoi me pjesëmarrjen e tij z. Milolay Gnatovsky, kryetar i Komitetit Evropian për Parandalim të Torturës, i cili shprehu kënaqësinë për faktin se nga ekspertët e këtij komiteti kishte pranuar vlerësime shumë pozitive për punën e MKPT-së. Po ashtu, ai foli për aspektet tjera të funksionimit të mekanizmave të tillë, siç janë pavarësia operuese, bashkëpunimi me organet kompetente dhe përcjellja e zbatimit të rekomandimeve.
- Gnatovsky, në fund të fjalimit, theksoi rëndësinë e vizitave të vazhdueshme nga MKPT-ja në të gjitha vendet e privimit nga liria, përfshirë edhe institucionet psikiatrike dhe ato të kujdesit social.
Konferenca e sotme do të vazhdojë me sesione tjera, ku do të trajtohen aspektet e monitorimit të vendeve të privimit nga liria në Republikën e Kosovës.
Konferenca organizohet për t’i paraqitur rezultatet dhe arritjet e projektit dhe për të diskutuar për veprimet e mëtutjeshme, si dhe ishte një mundësi e mirë për shënimin e 70-vjetorit të Këshillit të Evropës.