Avokati i Popullit publikoi Raportin me Rekomandime

11/04/2019

Prishtinë, më 11 prill 2019

Avokati i Popullit, në kuadër të ushtrimit të kompetencave dhe të përgjegjësive të tij ligjore sot publikoi Raportin me Rekomandime Ex officio nr. 479/2017 që ka të bëjë me menaxhimin e papërshtatshëm të deponisë sanitare të mbeturinave në fshatin Velekincë të komunës së Gjilanit.

Raporti evidenton problemet siç janë mos arritja e mbajtjes nën kontroll të deponisë, depërtimi i lehtë i personave të paautorizuar, e në raste të shpeshta të fëmijëve dhe të miturve brenda deponisë të cilët pa asnjë masë mbrojtëse në momentin e shkarkimit qëndrojnë në afërsi të automjeteve transportuese duke e rrezikuar jetën e tyre. Raporti vë në pah se mos arritja e vendosjes në kontroll të deponisë nga operatori, mos vendosja e rrethojës së qëndrueshme e cila do të pengonte hyrjen e personave të paautorizuar tregon se deponia nuk është duke u menaxhuar në përputhje me dispozitat ligjore në fuqi, duke shkelë të drejtën për mjedis të sigurt dhe të shëndetshëm të qytetarëve e që për pasojë janë tani më janë evidentuar edhe rastet e humbjes së jetës.

Inspektorati i Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor e po ashtu edhe Inspektorati komunal përkundër bazës së mjaftueshme ligjore dhe problemeve serioze të evidentuara tashmë nuk kanë ndërmarr masa në përputhje me legjislacionin në fuqi, për të urdhëruar apo ndaluar operatorin që menaxhon me deponinë e mbeturinave për të mënjanuar parregullsitë

Nëpërmjet këtij raporti Avokati i Popullit i adresoi rekomandime Komunës së Gjilanit, Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor dhe Kompanisë për Menaxhimin e Mbeturinave të Kosovës (KMDK) SH:A, dhe atë:

  1. Komunën e Gjilanit që në përputhje me Ligjin Nr. 04/L-060 për Mbeturina të ushtroi mbikëqyrjen dhe kontrollin e masave dhe veprimit të mbeturinave nëpërmjet inspektoratit komunal për mjedis;
  2. Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor dhe Komunën e Gjilanit që në pajtim me kompetencat dhe autorizimet ligjore, në bashkëpunim edhe me autoritetet tjera të ndërmarrin masa të menjëhershme për zgjidhjen e problemit të Deponisë sanitare të mbeturinave në fshatin Veleknicë dhe mbrojtjen e mjedisit dhe shëndetin e njeriut nga mbeturinat;
  3. Kompania për Menaxhimin e Mbeturinave të Kosovës (KMDK) SH:A., në pajtim me kompetencat të ndërmarrë veprimet e nevojshme për menaxhimin e Deponisë sanitare të mbeturinave në fshatin Velekincë dhe të zbatoi Planin e veprimit për largimin e personave të paautorizuar nga deponia.

Ky Raport me Rekomandime është përcjellë tek autoritetet përgjegjëse. I njëjti u është përcjellë mediave dhe është publikuar në ueb-faqen zyrtare të Institucionit të Avokatit të Popullit. LINK