Deklarata e Avokatit të Popullit në Ditën Ndërkombëtare të Komunitetit Romë

08/04/2019

Kushtetuta e Republikës së Kosovës, përcakton qartë se Republika e Kosovës është shoqëri shumetnike, e përbërë nga shqiptarët dhe komunitetet tjera e cila qeveriset në mënyrë demokratike, me respektim të plotë të sundimit të ligjit, përmes institucioneve të veta legjislative, ekzekutive dhe gjyqësore në përputhje me parimet e barazisë para ligjit të të gjithë individëve,  në respektimin e plotë të të drejtave dhe lirive themelore të njeriut, të pranuara ndërkombëtarisht, si dhe në mbrojtjen e të drejtave dhe në pjesëmarrjen e të gjitha komuniteteve dhe pjesëtarëve të tyre.

Avokati i Popullit ka identifikuar një sërë problemesh me të cilat ballafaqohet komuniteti Romë, si: ndërprerja e ndihmës sociale, mungesa e bashkëpunimit adekuat me përfaqësuesit e Zyrave Komunale për Komunitete dhe Kthim, mungesa e kushteve elementare të jetesës si dhe strehimi i përkohshëm, problemet me  regjistrimin civil, niveli i lartë i papunësisë në shërbimin civil dhe institucionet gjyqësore, shkyçja nga rrjeti elektrik, kohëzgjatja e procedurave para organeve gjyqësore për lëndët  në kontestet pronësore, uzurpimi i pronës dhe pengim posedimin, ndotja e mjedisit në vendbanimet e tyre, kërkimin e lëmoshës nga fëmijët pjesëtarë të këtij komuniteti, kujdesin joadekuat shëndetësor (mos vaksinimi i fëmijëve, sëmundjet e shpeshta infektive, etj.), dukurinë  e braktisjes së shkollimit,  martesat e hershme, të cilat iu janë adresuar institucioneve përgjegjëse. Më gjerësishtë këto probleme i janë adresuar edhe Kuvendit të Republikës së Kosovës përmes raportit vjetor të Avokatit të Popullit.

Avokati i Popullit përkujton se  gjendja e të drejtave të pakicave etnike është tregues i vlerave demokratike të një shoqërie. Prandaj,  edhe sot në Ditën Ndërkombëtare të Komunitetit  Romë tërheq vëmendjen në ngritjen e vetëdijes dhe veçanërisht kërkon veprime konkrete nga institucionet kompetente në zbatimin e legjislacionit dhe mbrojtjen e të drejtave të pjesëtarëve të këtij komuniteti.

Me nderime,

Hilmi Jashari

Avokat i Populli