Avokati i Popullit publikoi Raportin me Rekomandime përkitazi me shkeljen e së drejtës për lirinë së asociimit
Prishtinë, më 1 prill 2019
Avokati i Popullit, në kuadër të ushtrimit të kompetencave dhe të përgjegjësive të tij ligjore, publikoi Raportin me Rekomandime A.nr.674/2018 lidhur me shkeljen e së drejtës për lirinë së asociimit.
Raporti është bazuar në ankesën e dy organizatave joqeveritare (OJQ) dhe ka për objekt ushtrimin e lirisë së asociimit në organizata joqeveritare dhe praktikën e deritanishme sa i përket pezullimit të aktiviteteve të OJQ-ve në Republikën e Kosovës.
Avokati i Popullit, gjatë hetimit të rastit, ka vërejtur se ka pasur pezullim të veprimtarive të OJQ-ve të caktuara, bazuar në kërkesën e organit kompetent të sigurisë. Avokati i Popullit ka ardhur në përfundim se një praktikë e tillë bazohet në Udhëzimin Administrativ nr. 02/2014 për Regjistrimin dhe Funksionimin e Organizatave Joqeveritare, sipas të cilit, Departamenti për Regjistrimin e OJQ-ve i Ministrisë së Administratës Publike, përmes kërkesës me shkrim dhe arsyetimit të institucioneve të autorizuara të sigurisë, nxjerr vendimin për pezullimin e veprimtarisë së OJQ-ve për të cilat dyshohet se veprimtaria e tyre nuk përkon me rendin juridik dhe kushtetues të Republikës së Kosovës dhe me të drejtën ndërkombëtare.
Gjatë trajtimit të çështjes në fjalë, Avokati i Popullit ka vërejtur se mënyra e pezullimit të aktiviteteve të disa OJQ-ve të regjistruara është mënyrë e gabuar dhe e pabazuar në ligj. Mes tjerash, Avokati i Popullit vëren se kanë munguar hetime të mirëfillta, me të cilat do të vërtetoheshin apo do të hidheshin poshtë dyshimet e ngritura nga organi kompetent i sigurisë.
Avokati i Popullit konsideron se pezullimi i veprimtarisë së OJQ-ve, në këtë mënyrë, paraqet ndërhyrje të drejtpërdrejtë në lirinë e asociimit dhe shfaq rrezikun se autoritetet, në çdo kohë, mund të ndërhyjnë në veprimtarinë e cilësdo OJQ tjetër.
Në rastin konkret, përveç shkeljes së lirisë së asociimit, Avokati i Popullit konstaton se ka shkelje edhe të së drejtës për një gjykim të drejtë dhe të paanshëm dhe të së drejtës për mjete juridike efektive. Kjo për faktin se OJQ-ja, e cila është subjekt i Raportit të Avokatit të Popullit, në vitin 2014, kishte paraqitur padi në Gjykatën Themelore të Prishtinës – Departamenti për Çështje Administrative, kundër vendimit për pezullim dhe, qysh prej atëherë, gjykata ka dështuar që të vendosë lidhur me ligjshmërinë e pezullimit të aktivitetit të OJQ-së në fjalë, duke e kthyer çështjen për rivlerësim tek organi administrativ, përkatësisht te Departamenti për Regjistrimin e OJQ-ve i Ministrisë së Administratës Publike.
Së këndejmi, Avokati i Popullit i ka rekomanduar Qeverisë së Republikës së Kosovës:
1. Ta ndryshojë Udhëzimin Administrativ nr. 02/2014 për Regjistrimin dhe Funksionimin e Organizatave Joqeveritare, i miratuar në mbledhjen e 195-të të Qeverisë së Republikës së Kosovës, me Vendimin nr. 01/195, i datës 3.9.2014, përkatësisht fshirjen e nenit 18.
Ky Raport me Rekomandime është përcjellë tek autoritetet përgjegjëse. I njëjti u është përcjellë mediave dhe është publikuar në ueb-faqen zyrtare të IAP-së. LINK