Deklaratë e Avokatit të Popullit në Ditën Ndërkombëtare të Gruas
Prishtinë, 8 mars 2019
Me rastin e shënimit të 8 marsit -Ditës Ndërkombëtare të Gruas, Avokati i Popullit, si mekanizëm shtetëror i barazisë, i mandatuar për mbrojtjen, mbikëqyrjen, dhe promovimin e të drejtave të njeriut, dëshiron të tërheqë vëmendjen për një angazhim më të madh shoqëror në përgjithësi, e institucional në veçanti, në mënyrë që garancitë kushtetuese, legjislacioni primar si dhe standardet e përcaktuara ne instrumentet dhe konventat ndërkombëtare, të gjejnë zbatim të plotë dhe faktik, duke u bërë të prekshme dhe arritshme për secilën vajzë dhe grua në Kosovë. Njëherësh, parimi i shtetit të së drejtës, si parim themelor i Kushtetutës dhe Konventës për Eliminimin e të gjitha Formave të Diskriminimit ndaj Gruas, duhet të jetë prioritet për të gjitha organet shtetërore, si dhe kërkon rol aktiv të tyre në sigurimin dhe zbatimin e obligimeve kushtetuese e ligjore.
Fenomenet destruktive, siç janë dhuna në baza gjinore dhe ajo seksuale, trafikimi me qenie njerëzore, martesat e hershme, etj. vazhdojnë të mbesin probleme që ndikojnë dhe prekin kryesisht vajzat dhe gratë. Në anën tjetër, angazhimi i pamjaftueshëm institucional dhe shoqëror për sigurimin e të drejtës në një arsim cilësor, punësim të denjë, dhe qasje të barabartë në pronë apo resurse financiare, vetëm sa e thellojnë edhe më tej ndarjen dhe pabarazinë gjinore ne vend, duke i hapur rruge fenomeneve të dëmshme për zhvillimin e një shoqërie të emancipuar dhe prosperuese.
Një shoqëri e barabartë në aspektin gjinor, pashmangshëm nënkupton edhe pjesëmarrjen e barabartë të grave dhe burrave në të gjitha sferat e jetës publike, duke filluar nga përfaqësimi i grave në pozita të larta vendim-marrëse e deri tek përfshirja e tyre në planifikimin dhe hartimin e politikave publike, te cilat ndikojnë drejtpërdrejte në jetesën dhe mirëqenien e të dy gjinive.
Megjithatë, Avokati i Popullit shpreh shqetësimin e tij, sa i përket hapësirës dhe mundësive reale që grave iu jepen për të qenë pjesë e drejtimit dhe vendim-marrjes institucionale. Përfaqësimi i barabartë i burrave dhe grave, i garantuar përmes Ligjit për Barazi Gjinore, ndonëse do duhej të ishte standard i padiskutueshëm, vazhdon të mbesë çështje e vullnetit politik. Nisur nga kjo, Institucioni i Avokatit të Popullit rithekson obligimin e autoriteteve për të vepruar në praktikë dhe të sigurojnë që parimi i barazisë të mos mbetet vetëm vlerë e garantuar de jure, por edhe de facto.