Avokati i Popullit publikoi Raportin me rekomandime lidhur me kufizimin e së drejtës për mjedis të sigurt dhe të shëndetshëm
Prishtinë, 21 dhjetor – Avokati i Popullit ua përcolli autoriteteve kompetente Raportin me rekomandime lidhur me mosarritjen e autoriteteve për të përmbushur përgjegjësinë kushtetuese për mbrojtjen e mjedisit jetësor dhe për t’u garantuar qytetarëve mjedis të sigurt dhe të shëndetshëm.
Raporti është iniciuar sipas detyrës zyrtare (Ex officio), më 27 prill 2016, në lidhje me cenimin e vazhdueshëm të së drejtës për mjedis të sigurt dhe të shëndetshëm, të së drejtës për jetën dhe të privatësisë, të së drejtës për shfrytëzimin e mjeteve juridike efektive, të pronës, të lirisë së lëvizjes së banorëve të komunës së Obiliqit dhe komunave përreth.
Që nga hapja e rastit, Avokati i Popullit, në vazhdimësi ka mbikëqyrur çështjet e evidentuara në Raport, mirëpo nuk ka vërejtur asnjë ndryshim me synim përmirësimi.
Problemet e evidentuara në Raport janë: Ndotja e ujit, e ajrit dhe e tokës, mungesa e monitorimit cilësor mjedisor, mungesa e qasjes në informata mjedisore dhe shëndetësore, ngritja e numrit të të sëmurëve nga organet respiratore, të sëmundjeve kardiovaskulare dhe malinje, mungesa e statistikave shëndetësore, mungesa e hulumtimeve lidhur me ndikimin e ndotjes në shëndetin e qytetarëve, keq menaxhimi i deponisë së mbeturinave në Mirash dhe deponive të tjera, deponia e hirit, kufizimi i të drejtave të familjes së vendosur brenda pjesës së rrethuar nga KEK-u në fshatin Palaj, ndikimi në të drejtat e qytetarëve i mihjes sipërfaqësore, problemet me shpronësim të banorëve në zonën e interesit, ndërtimi i shtëpive/objekteve me qëllim të përfitimit nga shpronësimi, mosbashkëpunimi i organeve kompetente për të gjetur zgjidhje efektive për problemet mjedisore, si dhe vonesat e rasteve të iniciuara në gjykatë.
Raporti ka për qëllim që të tërheqë vëmendjen e institucioneve shtetërore, të Kuvendit të Republikës së Kosovës, të Komisionit Parlamentar për Bujqësi, Pylltari, Mjedis e Planifikim Hapësinor, të Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, të Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, të Ministrisë së Shëndetësisë, të Policisë së Kosovës, të Agjencionit për Mbrojtje të Mjedisit të Kosovës, të Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik të Kosovës, të Komunës së Obiliqit dhe të Komunës së Prishtinës, për shkeljet e vazhdueshme të të drejtave dhe lirive të njeriut nga ndotja e mjedisit dhe ndikimet në mjedis të faktorëve të ndryshëm në hapësirat e komunës së Obiliqit dhe të qyteteve tjera përreth, të ndikuara nga problemet e lartpërmendura.
Avokati i Popullit, duke u bazuar në faktet dhe argumentet e paraqitura në këtë raport, nxjerr përfundimin se të drejtat dhe liritë e qytetarëve, të cilët banojnë në territorin afër KEK-ut dhe në qytetet përreth, janë cenuar vazhdimisht nga mosarritja e përmbushjes së obligimit pozitiv të shtetit për balancim të drejtë në mes të zhvillimit ekonomik dhe mirëqenies sociale me parimet themelore për mbrojtjen e mjedisit sipas konceptit të zhvillimit të qëndrueshëm.
Në Raport, Avokati i Popullit konstaton se qytetarëve u është mohuar e drejta për mjedis të sigurt dhe të shëndetshëm, dinjiteti i njeriut, e drejta për jetën, e drejta për gjykim të drejtë dhe të paanshëm, e drejta për mjete juridike, liria e lëvizjes, e drejta e privatësisë, e drejta për qasje në dokumente publike dhe e drejta e pronës, dhe u rekomandon organeve kompetente ndërmarrjen e veprimeve për përmbushjen e obligimeve.
Raporti me rekomandime është publikuar në ueb-faqen zyrtare të IAP-së në: LINK
Zyra për Informim Publik të IAP