Featured Image

Avokati i Popullit, z.Hilmi Jashari, mbajti konferencën me temë “Bashkëpunimi Institucional me Avokatin e Popullit”.

18/12/2018

Në konferencë morën pjesë përfaqësues të lartë të institucioneve, anëtarë të komisioneve parlamentare, kryetarë dhe përfaqësues të komunave, si dhe përfaqësues të institucioneve ndërkombëtare.

Fokusi i kësaj konference ishte prezantimi i të arriturave dhe rëndësia e bashkëpunimit ndërinstitucional në raport me rekomandimet e Institucionit të Avokatit të Popullit.

Avokati i Popullit vuri theksin në rëndësinë e bashkëpunimit ndërinstitucional për zbatimin apo jetësimin e rekomandimeve të Avokatit të Popullit, me qëllim të respektimit dhe mbrojtjes së drejtave të njeriut në vendin tonë. Me besimin e plotë se rekomandimet e adresuara do ta kenë vëmendjen e merituar dhe se respektimi i përkufizimeve normative dhe bashkëpunimi ndërinstitucional janë domosdoshmëri për të arritur synimet e përbashkëta si shtet demokratik.

Ndërsa, znj. Duda Balje, kryetare e Komisionit Parlamentar për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, Persona të Pagjetur dhe Peticione, foli lidhur me rolin që ka Kuvendi në zbatimin e rekomandimeve të Avokatit të Popullit, si dhe bashkëpunimin e ngushtë me Avokatin e Popullit. Z. Nait Hasani, Kryetar i Komisionit Parlamentar për Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe media, foli lidhur me qeverisjen e mirë, miradministrimin dhe llogaridhënien e ekzekutivit. Gjithashtu, fjalën e kishte edhe z.Habit Hajredini, Drejor i Zyrës për Qeverisje të Mirë, i cili i foli për bahkëpunimin, monitorimin dhe sfidat lidhur me zbatimin e rekomandimeve të Avokatit të Popullit.

U zhvillua një diskutim i hapur nga pjesmarrësit e konferencës, ku ndër tjerash znj. Lirije Kajtazi, deputete dhe anëtare e Komisionit Parlamentar për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, Persona të Pagjetur dhe Peticione, përveq vlerësimit pozitiv mbi rëndësinë e rekomandimeve të Avokatit të Popullit, ngriti shqetësimin lidhur me shkallën e ultë të zbatimit të rekomandimeve të Avokatit të Popullit. Ndërsa, pjesmarrës të tjerë ngritën shqetësimet e tyre lidhur me ligjin për barazi gjinore dhe përfaqësimin e grave në institucione. Por, nga përfaqësuesit e institucioneve nuk mungoi përkrahja për bashkëpunim në respektimin dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut nëpërmjet zbatimit të rekomandimeve të Avokatit të Popullit.

Me qëllim të lehtësimit të punës së autoriteteve, gjatë kësaj konference u promovuan: Parimet e Miradministrimit dhe Doracaku për mbrojtje nga Diskriminimi, përmbledhje të hartuara dhe publikuara nga Avokati i Popullit.

Këto dy publikime mund t’i gjeni:
https://oik-rks.org//2018/11/07/doracak-per-mbrojtje-nga-diskriminimi/ 
https://oik-rks.org//2018/11/07/parimet-e-miradministrimit-permbledhje-nga-avokati-i-popullit/