Featured Image

Avokati i Popullit në bashkëpunim me OJQ-të, në Ditën Ndërkombëtare për të Drejta e Njeriut, organizoi aktivitetin “Çohu për të Drejtat e Njeriut”

11/12/2018

Prishtinë, 10 dhjetor 2018 – Institucioni i Avokatit të Popullit, në bashkëpunim me organizatat joqeveritare dhe shoqërinë civile në Kosovë, kanë organizuar aktivitetin e përbashkët “Çohu për të Drejtat e Njeriut”, me rastin e 10-dhjetorit të Ditës Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut.

Në aktivitetin e organizuar në Teatrin Kombëtar të Kosovës, Avokati i Popullit z. Hilmi Jashari dhe Kryetarja e Rrjetit të Grave të Kosovës znj. Igballe Rugova, në fjalën hyrëse theksuan rëndësinë e  veçantë të kësaj dite, duke ftuar përfaqësuesit nga shoqëria civile që të diskutojnë për të drejtat e tyre.

Aktiviteti “Çohu për të Drejtat e Njeriut” kishte për qellim dërgimin e një mesazhi të fuqishëm për angazhim të shtuar, gjithëpërfshirës dhe ndërinstitucional për promovimin dhe edukimin mbi të drejtat dhe liritë themelore të njeriut.  Përfaqësues nga shoqëria civile, përmes fjalimeve e tyre, diskutuan për të drejtat e fëmijëve, për të drejtat e të rinjve, për të drejtat e gruas, për të drejtat e të moshuarve, për të drejtat e komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian, për të drejtat e komunitetit LGBTI dhe për të drejtat e personave me aftësi të kufizuara.

Më pas aktiviteti vazhdoi me marshin nga sheshi “Skënderbeu” deri te sheshi “Zahir Pajaziti”, me moton “Çohu për të Drejtat e Njeriut”.

Në këtë aktivitet morën pjesë përfaqësues të institucioneve vendore dhe ndërkombëtare.​