Avokati i Popullit publikoi raportin me rekomandime lidhur me vizitën e Mekanizmit Kombëtarë për Parandalim të Torturës në stacionet policore

30/11/2018

Prishtinë, 30 Nëntor – Raporti në fjalë bazohet në vizitën e Mekanizmit Kombëtarë për Parandalimin e Torturës (MKPT), realizuar më 30 dhe 31 Tetor 2018 në stacionet policore në: Shtime, Ferizaj, Graçanicë, Gjilan, Ranillug, Kaçanik, Shtërpcë, Viti, Kamenicë dhe Novobërdë.

Gjatë vizitës në stacionet e lartë përmendura, Policia e Kosovës i ofroi MKPT-së bashkëpunim të plotë. Ekipi pa vonesa pati qasje në të gjitha hapësirat. Ekipit iu siguruan të gjitha informatat e nevojshme për të kryer detyrën dhe qasja në të gjitha dokumentet e kërkuara, si dhe iu mundësua intervistimi i personave të arrestuar pa prezencën e zyrtarëve policorë.

MKPT-ja, gjatë vizitës, ka hasur në persona të arrestuar vetëm në stacionin policor në Gjilan dhe në Viti, të cilët i ka intervistuar dhe nuk ka pranuar pohime për keqtrajtim fizik apo përdorim të tepruar të forcës fizike nga zyrtarët policorë gjatë kohës së arrestimit. Po ashtu, MKPT nuk ka pranuar ankesa lidhur me të drejtat themelore të personave të arrestuar nga policia. MKPT-ja ka vërejtur se në secilën qeli ndodheshin informata të shkruara lidhur me të drejtat e personave të arrestuar në tri gjuhë (shqip, serbisht dhe anglisht).

Sa i përket kushteve fizike, MKPT ka vërejtur se kushtet e punës në Stacionin Policor në Shtime janë mjaft të këqija, ka vetëm një zyre për intervistim, e cila gjendet jashtë objektit të policisë në të cilën kryhen intervistat, mbahen dosjet e të arrestuarve dhe ku i arrestuari mbahet deri në 6 orë. Stacioni Policor i Shtimes, nuk ka qendër të mbajtjes, personat e arrestuar dërgohen në Qendrën e Mbajtjes në Ferizaj.

MKPT ka vërejtur kushte jo të mira fizike, materiale edhe në Stacioni Policor në Ferizaj, ku qelitë nuk kishin dritë natyrale të mjaftueshme, ndërsa drita artificiale ishte e dobët. Po ashtu, MKPT-ja ka vërejtur se ndërtesa mban lagështi dhe erë myku dhe higjiena nuk ishte në nivelin e duhur. Në qelitë ku mbahen personat e arrestuar ka mungesë të çarçafëve, jastëkëve dhe mjeteve higjienike.

Qendra e Mbajtjes në stacionin policor në Kaçanik, nuk është funksionale në 5 vitet e fundit. Kjo qendër është mbyllur për shkak se nuk i plotëson kushtet higjienike, ndërsa të arrestuarit mbahen në zyrën e intervistave deri në 6 orë

MKPT-ja ka vërejtur se, kushtet fizike dhe të akomodimit në Stacionet policore në Graçanicë, Gjilan, Ranillug dhe Viti, në përgjithësi i plotësojnë standardet minimale për akomodim të personave të arrestuar.

Në stacionin Policor në Shtërpcë, është shqetësues fakti se, në një dhomë intervistimi, MKPT ka gjetur tri objekte të forta, të cilat, sipas zyrtarëve policorë, ishin objekte të konfiskuara nga personat e arrestuar në vend të ngjarjes dhe mbahen aty si dëshmi. MKPT-ja, u ka rekomanduar zyrtarëve policorë se objektet e tilla duhet të hiqen menjëherë nga zyra ku intervistohen të arrestuarit dhe të mbahen në vende adekuate.

Në të gjitha stacionet e vizituara, MKPT-ja, ka vërejtur se të arrestuarit, nuk furnizohen me mjete personale higjienike. MKPT-ja konsideron se autoritetet relevante, duhet të ndërmarrin hapa konkret për të pajisur qendrat e mbajtjes me mjete higjienike.

Po ashtu, në të gjitha stacionet që i ka vizituar, MKPT-ja, ka vërejtur se tualetet ndahen nga pjesa tjetër e qelisë me një mur i cili është joadekuat (është i ulët), për të garantuar respektimin e privatësisë së të ndaluarve. MKPT-ja, konsideron se, autoritetet përgjegjëse duhet të ndërmarrin veprimet e nevojshme për të garantuar privatësinë e të ndaluarve.

Prandaj, bazuar në të gjeturat gjatë vizitës, MKPT-ja i rekomandon Policisë së Kosovës që: të bëhen renovimet e nevojshëm në Qendrën e Mbajtjes në Stacionin Policor në Ferizaj; në të gjitha qendrat e mbajtjes të stacioneve policore të vizituara, tualetet e qelive ku mbahen të ndaluarit, duhet të pajisen me një ndarje e cila respekton privatësinë; të largohen mjetet e forta nga zyrat ku intervistohen apo mbahen personat e arrestuar ose ndaluar, në të gjitha stacionet policore, të cilat pretendohet se janë mjete të konfiskuara në cilësi të dëshmisë; të informohet MKPT-ja për datën e funksionalizimit të Stacionit Policor në Shtime; të furnizohen të ndaluarit me mjete personale higjienike.

Raportin me rekomandime mund ta gjeni në linkun më poshtë: LINK

Zyra për Informim Publik  të IAP