Avokati i Popullit publikoi Raportin me rekomandime lidhur me vizitën e Mekanizmit Kombëtar për Parandalim të Torturës në Qendrën e Paraburgimit në Pejë

30/11/2018

Prishtinë, 30 nëntor – Mekanizmi Kombëtar për Parandalim të Torturës (MKPT), gjatë vizitës në Qendrën e Paraburgimit në Pejë (QPP), në një numër të qelive ka gjetur se hapësira e akomodimit, ndriçimit dhe ventilimit, nuk janë në pajtim me standardet e përcaktuar nga Komiteti Evropian për Parandalim të Torturës (KPT) dhe me Ligjin për Ekzekutimin e Sanksioneve Penale. Gjithashtu, kuzhina nuk i plotëson as kushtet elementare. Për dallim nga këto, MKPT-ja, nuk ka pranuar ankesa nga të paraburgosurit dhe të dënuarit rreth kujdesit shëndetësor.

MKPT vizitoi Qendrën e Paraburgimit në Pejë (QPP), më 4 tetor 2018. Të gjeturat e kësaj vizite janë të paraqitura në Raportin me rekomandime.

Gjatë vizitës së MKPT-së në QPP, personeli i Shërbimit Korrektues dhe personeli i Departamentit Shëndetësor të Burgjeve, i ofruan ekipit monitorues bashkëpunim të plotë. Ekipi pa vonesa pati qasje në të gjitha hapësirat e QPP-së. Ekipit i`u siguruan të gjitha informatat e nevojshme për të kryer detyrën dhe i`u mundësuan intervistat me personat e dënuar dhe të paraburgosur, pa praninë e zyrtarëve korrektues ose personelit tjetër.

Qëllimi kryesor i vizitës, ishte vlerësimi i kushteve fizike dhe materiale në Qendrën e Paraburgimit në Pejë, si dhe vlerësimi nëse këto kushte janë në pajtim me Ligjin për Ekzekutimin e Sanksioneve Penale; standardet e përcaktuara nga KPT-ja dhe standardet ndërkombëtare për mbrojtjen e të drejtave të personave të privuar nga liria.

Gjatë vizitës nëpër qelitë e QPP-së, MKPT-ja, ka vërejtur se aktualisht numri i të burgosurve kishte arritur në 89 persona. MKPT-ja, ka vizituar një numër të qelive dhe ka verifikuar se hapësira e akomodimit, ndriçimit dhe ventilimit nuk janë në pajtim me standardet e përcaktuara nga Komiteti Evropian për Parandalim të Torturës (KPT) dhe me Ligjin për Ekzekutimin e Sanksioneve Penale.

Komiteti Evropian për Parandalim të Torturës (KPT), e vizitoi dy herë QPP-në. Sa i përket kushteve të akomodimit, KPT-ja në raportin për vizitën në Kosovë në vitin 2007, këto kushte i përshkruan si shumë të këqija dhe konstaton se madhësia e qelive nuk është në përputhje me standardet e përcaktuara nga ky komitet.

Po ashtu, MKPT-ja, vlerëson se kuzhina nuk i plotëson as kushtet elementare, pasi që hapësirat e saj janë shumë të vogla, pa dritë natyrale, mjetet për të punuar janë të vjetërsuara, të dëmtuara dhe të improvizuara nga vetë punëtorët. Ushqimi ishte i vendosur në një dhomë të posaçme me afat të gjatë të përdorimit.

MKPT-ja, vlerëson se regjimi për të paraburgosurit mbetet i varfër, ngase QPP-ja ka një shëtitore mjaft të vogël, në të cilën gjendet vetëm një tabelë e pingpongut. QPP-ja nuk ka mundësi që të paraburgosurve dhe të dënuarve t’u ofrojë aktivitete të tjera, përveç shëtitjes dhe shikimit të TV-së në qeli.

Sa i përket kujdesit shëndetësor, MKPT-ja, nuk ka pranuar ankesa nga të paraburgosurit dhe të dënuarit. MKPT-ja, ka vërejtur se shërbimet mjekësore në QPP, jepen në pajtim me kërkesat dhe nevojat e të paraburgosurve.

Lidhur me çështjet e ndërlidhura me sigurinë, MKPT-ja, u njoftua nga drejtoria se të gjitha pavijonet dhe objektet e QPP-së, janë të pajisura me kamera të sigurisë, të cilat, sipas KPT-së, përbëjnë një nga garancitë për mbrojtje nga keqtrajtimi.

MKPT-ja, ka vërejtur se në QPP, janë kutitë e ankesave të vendosura nga Shërbimi Korrektues i Kosovës dhe kutitë e ankesave të vendosura nga Institucioni i Avokatit të Popullit, të cilat u shërbejnë të burgosurve. Kutitë e ankesave, të vendosura nga Institucioni i Avokatit të Popullit, mund të hapen vetëm nga personeli i këtij institucioni, gjë që për ankuesit ofron konfidencialitet në parashtrimin e ankesave.

Në bazë të të gjeturave dhe konstatimeve të arritura gjatë vizitës, në pajtim me nenin 135, paragrafi 3 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe nenin 16, paragrafi 4 të Ligjit 05/L019 për Avokatin e Popullit, Avokati i Popullit i rekomandon Ministrisë së Drejtësisë:

  • Ta njoftojë Avokatin e Popullit lidhur me pretendimet e punonjësve të QPP-së, se kjo Qendër do të mbyllet.
  • Të krijohen kushte dhe hapësirë adekuate të punës për personelin mjekësor.
  • Numri i të paraburgosurve të akomoduar të jetë në pajtim me kapacitetin zyrtar të QPP-së dhe të zgjidhet çështja e mbipopullimit sa më shpejtë që të jetë e mundur.
  • Kushtet e akomodimit, përderisa kjo qendër është në përdorim, të jenë në pajtim me standardet minimale të përcaktuara me Ligjin për Ekzekutimin e Sanksioneve Penale; me standardet e KPT-së dhe me standardet tjera ndërkombëtare për mbrojtjen e të drejtave të të burgosurve.

Raportin me Rekomondime e gjeni në linkun e mëposhtëm: LINK

Zyra për Informim Publik  të IAP