
Institucioni i Avokatit të Popullit dhe Instituti i Kosovës për Drejtësi, organizoi tryezën “Parandalimi dhe luftimi i problemeve të mjedisit”
22/11/2018
Prishtinë, 22. Nëntor – Institucioni i Avokatit të Popullit në bashkëpunim me Institutin e Kosovës për Drejtësi, organizoi sot tryezën “Parandalimi dhe luftimi i problemeve të mjedisit”. Qëllimi i organizimit të tryezës është diskutimi i arsyes së zvarritjes së lëndëve mjedisore në Prokurori dhe Gjykatë. Në tryezë morrën pjesë përfaqësuesit e institucioneve kompetente për mbrojtje të mjedisit të nivelit lokal dhe qëndror, përfaqësuesit e organeve të drejtësisë, Policia e Kosovës, përfaqësues të Organizatave Ndërkombëtare, Ambasadave, Shoqërisë Civile dhe qytetarë.
Qëllimi i ftesës së të gjithë akterëve ishte gjetja e mënyrave për tejkalimin e sfidave lidhur me parandalimin dhe luftimin e problemeve mjedisore. Derisa, ndërhyrjet pa kriter vazhdojnë, e drejta e për mjedis të sigurtë dhe të shëndetshëm e qytetarëve është duke u kufizuar.
Avokati i Popullit z. Hilmi Jashari, theksoi para të pranishmëve se gjendja e mjedistit është duke prekur nenin 2, të Konventës Evropiane, e drejta e Jetës, përderisa vonesat në marrjen e vendimeve lidhur me këto raste prekin nenin 6, E drejta për një proces të rregullt, të Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, dhe neni 13, e drejta për zgjidhje efektive. Avokati i Popullit, deklaroi se është obligim pozitiv i shtetit që qytetarëve t’u garantoj të drejta e nejriut.
Sipas drejtorit të IKD-së, Z. Ehat Miftaraj, prokurorët dhe gjykatësit duhet të trajnohen në këtë lëmi. Ndërsa, Deputeti i Kuvendit të Kosovës, njëherit anëtar i Komisionit të Kuvendit të Kosovës, për Bujqësi, Pylltari dhe Planifikim Hapësinor, z. Sali Zyba, ngriti shqetësimin e mosfunkcionimit të gjitha hallkave në zingjirin e institucioneve.
Nga përfaqësuesi i Inspektoratit të Minsitrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, u paraqitën problemet me të cilat ballafaqohet Inspektorati i ministrisë, dhe që janë duke punuar me numër shumë të vogël të inspektorëve. Komisioni i Pavarur për Miniera dhe Minerale, vetëm vitin 2018, kishte inicuar 80 kallëzime penale. Sipas drejtoreshës së Institutit Hidrometerologjik të Kosovës, u kuptua se këtë vit, deri më tani janë regjistruar 50 ditë me tejkalime të normave të lejuar në ajër, edhe pse sipas legjislacionit në fuqi janë të lejuara vetëm 35. Të pranishmit po ashtu u njoftuan lidhur me punën e Departamentit për Krime të Rënda në Policinë e Kosovës, gjegjësisht për punën e njësisë për krime mjedisore.
Prokuroria e shtetit, njoftoi se përkundër që mjedisi është çështje me shumë rëndësi, sistemi prokurorial nuk ka statistika lidhur me këto raste, dhe që krimet mjedisore zakonisht liden me rastet që kanë të bëjnë me keqpërdorimin e detyrës zyrtare. Po ashtu, sipas gjyqtares së Gjykatës Themelore në Prishtinë, ende nuk ka statistika lidhur me lëndët e kësaj natyre, dhe që numri i rasteve të kësaj natyre është i vogël.
Në diskutim u përfshin edhe përfaqësues të shoqërisë civile dhe qytetarë.
Nga diskutimet u kuptua se nuk ka statistika lidhur me këto raste në prokurori dhe gjykata, ka zvarritje dhe se këto çështje nuk hyjnë në prioritetet e sistemit prokurorial dhe gjyqësor.
Zyra për marrëdhënie me publikun

