
Në Ditën Universale të Fëmijëve, Avokati i Popullit priti në takim fëmijë nga shkolla të ndryshme të vendit
Prishtinë, 20 nëntor 2018 – Në Ditën Universale të Fëmijëve, Avokati i Popullit priti në takim fëmijë nga shkolla të ndryshme të Kosovës. Gjatë takimit, Avokati i Popullit i ftoi fëmijët që të parashtrojnë pyetje apo të ngrenë shqetësime lidhur me të drejtat dhe liritë e tyre në vendin tonë. Fëmijët ishin shumë të interesuar për çështjet të cilat janë shqetësuese për ta, siç është përdorimi i substancave narkotike nga fëmijët.
Avokati i Popullit iu përgjigj kësaj pyetjeje, duke i njoftuar fëmijët se IAP-i është duke i bërë hulumtimet në këtë drejtim dhe se së shpejti do të adresoj çështjen tek institucionet përkatëse.
Pyetje të shumta u parashtruan nga fëmijët edhe për çështje të tjera, siç është përdorimi i pakufizuar i rrjeteve sociale nga fëmijët e moshave të ndryshme në Kosovë.
Po ashtu, një shqetësim tjetër që u ngrit nga fëmijët ishte edhe për kushtet socio-ekonomike, që i detyrojnë fëmijët të punojnë, duke mos pasur mundësi që të arsimohen. Avokati i Popullit iu përgjigj të gjitha pyetjeve të fëmijëve pjesëmarrës në këtë takim.
Në këtë drejtim, Avokati i Popullit apeloi tek fëmijët që për çdo shkelje të të drejtave dhe lirive të tyre në shkollë, në familje apo kudo ku ata veprojnë, t’i drejtohen Institucionit të Avokatit të Popullit
Më pas fëmijëve iu shpërndanë dhurata simbolike dhe u organizua një koktej rasti.