
Avokati i Popullit publikoi Raportin me rekomandime lidhur me mosndërmarrjen e veprimeve nga organet kompetente për menaxhimin e mbeturinave me përmbajtje asbesti
Avokati i Popullit ua përcolli sot organeve kompetente Raportin me rekomandime lidhur me mosarritjen e organeve kompetente për të përmbushur obligimet për menaxhimin e materialeve me përmbajtje asbesti brenda territorit të vendit.
Raporti ka për qëllim tërheqjen e vëmendjes së autoriteteve kompetente, gjegjësisht të Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH) dhe komunave, për nevojën e ndërmarrjes së masave të menjëhershme parandaluese, në mënyrë që të reduktohen efektet negative në mjedis dhe në shëndetin e njeriut.
Sipas Dokumentit të Organizatës Botërore të Shëndetësisë (WHO) dhe të Organizatës Ndërkombëtare të Punës (ILO), të publikuar në vitin 2007, që ka të bëjë me Zhvillimin e programeve kombëtare për eliminimin e sëmundjeve të lidhura me asbest: “Ekspozimi ndaj asbestit shkakton asbestozë, pllaka pleurale, trashje dhe effusions, kancer të mushkërive, Mesothelioma, laryngeal dhe ndoshta kanceret e tjera me periudha të ndryshme latente”. Ndërsa sipas dokumentit të WHO, i publikuar në vitin 2014 “Eliminimi i sëmundjeve të lidhura me asbestin”, i cili shqyrton efektet negative të ekspozimit të asbestit në shëndet, vlerësohet se të paktën 107 mijë njerëz vdesin çdo vit nga kanceri në mushkëri, si rezultat i ekspozimit në asbestozë gjatë ushtrimit të profesionit.
Avokati i Popullit, pas analizës së çështjes, edhe pse nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor nuk ka pranuar asnjë përgjigje, duke u bazuar në informacionet e pranuara nga Komuna e Prishtinës, Ferizajt, Mitrovicës, Gjilanit, Gjakovës, Pejës dhe Prizrenit, konsideron se, pavarësisht bazës së mjaftueshme ligjore që ofron Ligji nr. 04/L-060 për Mbeturina dhe Udhëzimi Administrativ nr. 22/2015 për Menaxhimin e mbeturinave që përmbajnë azbest, Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor dhe komunat, me përjashtim të Komunës së Mitrovicës, edhe pse janë të veshura me funksione për zbatimin e së drejtës dhe janë përgjegjëse për mbrojtjen e mjedisit jetësor, natyrës dhe biodiversitetit, nuk kanë ndërmarrë veprime me të cilat do të siguronin një mjedis të sigurt dhe të shëndetshëm për qytetarët e Kosovës, si obligim pozitiv që del nga neni 25 [E drejta për jetën] dhe neni 52 [Përgjegjësia për mjedisin jetësor] të Kushtetutës.
Avokati i Popullit në raport ka konstatuar se mosndërmarrja e asnjë aktiviteti sensibilizimi për vetëdijesimin dhe informimin e publikut për rrezikun që kanë materialet me përmbajtje asbesti, tregon dështimin dhe neglizhencën e autoriteteve kompetente për mbrojtjen e shëndetit dhe të jetës së njeriut, dhe njëherësh kufizim të së drejtës për mjedis të sigurt dhe të shëndetshëm dhe të së drejtës për jetën.
Ndërsa, mosndërmarrjen e veprimeve nga ana e Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor lidhur me trajtimin e materialeve me asbest brenda territorit të Republikës së Kosovës, ashtu sikurse parashihet në Ligj dhe Udhëzim Administrativ, Avokati i Popullit e konsideron si dështim për zbatimin e obligimeve të dala nga neni 92 i Kushtetutës për ushtrimin e pushtetit ekzekutiv në pajtim me Kushtetutën e ligjin dhe për zbatimin e ligjeve të miratuara nga Kuvendi i Kosovës.
Bazuar në hetimet e bëra, Avokati i Popullit, në pajtim me nenin 135, paragrafi 3 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, si dhe nenin 18, paragrafin 1.5 dhe 1.7 të Ligjit për Avokatin e Popullit, rekomandoi që:
- Qeveria, të ndërmarrë masa të shpejta, për menaxhimin e mbeturinave me përmbajtje azbesti, ashtu si parashihet në Ligjin Nr. 04/L-060 për Mbeturina;
- Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor të ndërmarrë masa shtesë për menaxhimin e mbeturinave me përmbajtje azbesti;
- Komunat në bashkëpunim me Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor të ndërmarrin masa me hapa të përshpejtuar për zbatimin e obligimeve të dala nga Ligji Nr. 04/L-060 për Mbeturina dhe Udhëzimi Administrativ Nr. 22/2015, për Menaxhimin e Mbeturinave që Përmbajnë Azbest;
- Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, të filloj informimin dhe ndërgjegjësimin, përmes formave të ndryshme për ndikimit të azbestit në shëndetin e njeriut dhe mjedis, si dhe mënyrat e menaxhimit;
- Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, ta bëjë publike raportin për hulumtimin e azbestit në të gjitha ndërtesat publike në komunën e Pejës dhe Istogut, të OJQ “Pro Vitae”, në përjashtim të informatave të kufizuara me ligj,.
- Komisioni për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural, Mjedis e Planifikim Hapësinor i Kuvendit të Kosovës, të kërkojë nga Ministri i MMPH-së, përgjegjësi për mosndërmarrjen e masave të parapara në Ligji Nr. 04/L-060 për Mbeturina, Udhëzimi Administrativ Nr. 22/2015, për Menaxhimin e Mbeturinave që Përmbajnë Azbest;
Komisioni për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural, Mjedis e Planifikim Hapësinor i Kuvendit të Kosovës të kërkojë përgjegjësi nga ministri i MMPH-së për mosndërmarrjen e masave të parapara në Ligjin nr. 04/L-060 për Mbeturina, dhe në Udhëzimin Administrativ nr. 22/2015 për Menaxhimin e mbeturinave që përmbajnë azbest.
Raporti me rekomandime është publikuar në ueb-faqen zyrtare të IAP-së, në: LINK