Avokati i Popullit publikoi Raportin me rekomandime lidhur me vizitën e Mekanizmit Kombëtar për Parandalim të Torturës në Klinikën Psikiatrike

02/11/2018

Prishtinë, 02 nëntor – Raporti në fjalë i referohet vizitës së Mekanizmit Kombëtarë për Parandalim të Torturës (MKPT) më 17 maj 2018 në Klinikën Psikiatrike të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës. Gjatë vizitës së MKPT, personeli i Klinikës Psikiatrike i ofroi bashkëpunim të plotë ekipit monitorues. Ekipi pa vonesa pati qasje në të gjitha hapësirat dhe iu mundësuan bisedat me pacientët pa prezencë të personelit mjekësor.
Klinika Psikiatrike përbëhet nga 4 reparte të ndara, të gjitha repartet (përveç repartit të urgjencës dhe kujdesit intensiv psikiatrik) janë të hapura dhe bëjnë trajtimin me vullnetin e pacientëve dhe në raste të caktuara edhe pa vullnetin e tyre bazuar në vendimin e gjykatës kompetente.
Reparti i urgjencës dhe kujdesit intensiv psikiatrik (në tekstin e mëtejmë “UKIP”), është njësi e mbyllur dhe është i vetmi në tërë territorin e Kosovës. Në spitalet tjera regjionale, repartet psikiatrike nuk i kanë funksionale dhomat e veçanta ku trajtohen rastet urgjente. Rastet e tilla nga tërë Kosova sillen në repartin UKIP të Klinikës Psikiatrike në Prishtinë.
MKPT u njoftua se pacientët në përgjithësi sillen në UKIP nga familjarët ose policia dhe janë pacientë të cilët akomodohen pa vullnetin e tyre. MKPT ka vërejtur se gjykata kompetente nuk njoftohet për pranimin e pacientit për trajtim të pavullnetshëm, ashtu siç parashihet në nenin 22 dhe 23 të Ligjit për Shëndetin Mendorë. MKPT vëren se kjo dispozitë qartazi e obligon institucionin shëndetësor që në raste të pranimit të pacientit për trajtim të pavullnetshëm të njoftojë gjykatën kompetente për procedime të mëtejme.
Gjatë vizitës, MKPT ka vërejtur se në përgjithësi atmosfera e përgjithshme në Klinikën Psikiatrike është relaksuese dhe raportet ndërmjet personelit dhe pacientëve janë pozitive. MKPT nuk ka pranuar nga pacientët asnjë ankesë për keqtrajtim fizik apo sjellje të personelit e cila do të fyente dinjitetin e pacientit.
Kushtet materiale në Klinikën Psikiatrike në përgjithësi nuk janë të mira. Dhomat e pacientëve janë të mëdha, me nga dy dhe tre shtretër, kishin dritë të mjaftueshme, dritaret mund të hapen. Orenditë (dollapët për rroba) ishin të gjitha pothuajse të dëmtuara, muret e lyera por tashmë të vjetërsuara, ka 6 vite që nuk ka pasur renovime, ndërsa ujë të ngrohtë ka kohë pas kohe. MKPT ka vërejtur se nuk ka piktura në mure, nuk ka komodina për gjërat personale, tualeti nuk ka derë që mbyllet. Pastrimi bëhet nga kompanitë private por dukej se nuk ishte i kënaqshëm dhe vërejtje për këtë kishte edhe nga personeli. MKPT konsideron se duhet të ndërmerren masa për krijimin e një mjedisi sa më familjarë dhe terapeutik si dhe të duhet të bëhen renovime sa më shpejtë që është e mundur.
Lidhur me aktivitetet në përgjithësi të cilat realizohen në të gjitha repartet e Klinikës Psikiatrike, MKPT shpreh brengosjen se janë të zbehta dhe rutinore. Nuk ka një plan të individualizuar të trajtimit me përfshirje të pacientit dhe nuk ka një përfshirje në një rang më optimal të aktiviteteve terapeutike, rehabilitues dhe rekreacionale. Klinika Psikiatrike nuk kanë punëtor social, shpesh mungon ekipi multidiciplinorë sidomos në repartin UKIP. MKPT konsideron se është thelbësore të zhvillohet një numër më i madh dhe më i larmishëm i aktiviteteve rehabilituese, psikosociale dhe okupacionale që do ndihmonin në shtimin e shkathtësive të tyre për një jetë të pavarur.
Është evidente se trajtimi kryesor është ai psikofarmakologjik. Përdorimi i medikamenteve antipsikotike, antidepresive dhe anksiolitike nga ekzaminimi i disa dosjeve mjekësore duket se është i arsyeshëm dhe i bazuar në evidenca. Kishte mungesa të shumta, qe një vit mungonin depo-preparatet (Haloperidol dhe Flufenazin). Kishte periudha që kishte edhe mungesa të shumta, si p.sh, të materialeve medicinale themelore (shpesh mungonin shiringat). Antibiotikët dhe analgjetikët si dhe barërat tjera mjekësore i siguronin vetëm me kërkesë të posaçme në barnatoren e përgjithshme të SHSKUK. MKPT konsideron se është obligim parësor i autoriteteve kompetente të garantojnë furnizimin e rregullt me barëra.
Sa i përket informimit të pacientëve me të drejtat e tyre, MKPT ka vërejtur se Karta e të drejtave të pacientëve ishte e vendosur në kuzhinë. Broshurat informuese janë harxhuar dhe Klinika Psikiatrike nuk ka mjete për të shtypur ekzemplarë të tjerë. Zakonisht pacientët i njoftojnë gojarisht me të drejtat e tyre.
MKPT konsideron se autoritetet relevante duhet të plotësojnë kriterin ligjor të përcaktuar në nenin 6 paragrafi 1.5 të Ligjit për Shëndetin Mendor i cili përcakton se një nga të drejtat e personave me çrregullime mendore është e drejta për të qenë i informuar për të drejtat e tij.
Klinika Psikiatrike nuk ka ndonjë udhërrëfyes të posaçëm për parandalimin e vetëvrasjeve dhe ndonjë plan parandalues specifik. MKPT konsideron se është e nevojshme të hartohet një udhërrëfyes i qartë i cili me efektivitet do të ndihmojë në identifikimin e rasteve me tendenca suicidale, hartimin e një skeme observimi të veçantë me mbështetjen imediate psikologjike/psikiatrike.
Nga kontrolli i dokumentacionit dhe intervistat me personelin, del se mungon marrja e një pëlqimi të lirë dhe të informuar me shkrim nga pacientët, kujdestarët ose përfaqësuesit ligjor të tyre për qëndrim në klinikë, si dhe për trajtimin ashtu siç përcaktohet edhe me nenin 19 paragrafi 3 i Ligjit për Shëndetin Mendor: “Miratimi i informuar sigurohet nëpërmjet diskutimit me pacientin për natyrën dhe qëllimin e ndërhyrjes terapeutike të propozuar. Përmbajtja e diskutimit dhe formulari i miratimit të informuar janë pjesë e kartelës klinike të pacientit. Pacienti nënshkruan për dhënien e miratimit si në kartelë ashtu edhe në formularin e miratimit të informuar.
Lidhur me procedurat e ankesave- Në repart ekziston kutia e ankesave e Klinikës Psikiatrike e cila sipas drejtorisë hapet nga një zyre përgjegjëse në kuadër të QKUK-së. Megjithatë, për MKPT është e paqartë procedura e parashtrimit të ankesës së pacientit dhe kërkojmë nga SHSKUK të na njoftoj me shkrim lidhur me këtë çështje.
Në bazë të të gjeturave dhe konstatimeve të arritura gjatë vizitës, përmes këtij raporti, MKPT e Avokatit të Popullit, u ka dërguar autoriteteve kompetente rekomandimet si në vijim: të bëhen renovimet e duhura në Klinikën Psikiatrike; të rritet numri i aktiviteteve të mirëfillta psiko-sociale; të funksionalizohet ekipi multi-disiplinarë në repartet e Klinikës Psikiatrike; të bëhet furnizimi i pandërprerë i Klinikës Psikiatrike me barëra; të përpilohet Udhërrëfyesi për parandalim të vetëvrasjeve; të ofrohen trajnime adekuate për personelin; të shtohet numri i personelit sipas vlerësimit dhe nevojës; nga pacienti të merret miratimi i informuar për trajtim në pajtim me Ligjin për Shëndetin Mendorë; të njoftohen pacientët për të drejtat e tyre në formë të shkruar; të përpilohet dhe përdoret regjistër i veçantë për pacientët të cilëve u shqiptohet masa e izolimit; repartet psikiatrike në spitalet tjera regjionale duhet t’i aktivizojnë dhomat e veçanta për trajtimin e rasteve urgjente psikiatrike.
Raporti i plotë me rekomandime mund të gjendet në :  LINK

 

Zyra për Informim Publik  të  IAP