Featured Image

U organizua Konferenca Rajonale për Mekanizmat Kombëtar për Parandalimin e Torturës të vendeve të Ballkanit Perëndimor

12/10/2018

Prishtinë, 12 tetor –  Këshilli i Evropës zyra në Prishtinë, në bashkëpunim me Institucionin e Avokatit të Popullit në Kosovë, organizoi Konferencën rajonale për mekanizmat kombëtar për parandalimin e torturës, keqtrajtimit dhe trajtimit jo human.

 Koferenca me temën “Aftësia e kufizuar mendore privimi nga liria dhe dinjiteti njerëzor” është aktivitet i  projektit  “Forcimi i Mekanizmit Kombëtar të Parandalimit të Torturës” i cili financohet nga qeveria zvicerane si dhe qeveria norvegjeze dhe zbatohet nga ana e Këshillit të Evropës.

 Projekti synon vetëdijesimin e palëve të interesuara si dhe publikut të gjerë mbi rolin dhe mandatin e mekanizmave për parandalimin e torturës dhe keqtrajtimit.

 Konferenca  u organizua për të shënuar Ditën Botërore të Shëndetit Mendor (10 tetor), me fokus tematik në parandalimin e keqtrajtimit të personave me aftësi të kufizuara mendore në kontekstin e privimit të lirisë.

 Në konferencë morën pjesë përfaqësues nga mekanizmat kombëtar për parandalimin e torturës të rajonit, si edhe Ombudsmanët nga Republika e Malit të zi dhe Republika e Sllovenisë.

 Në prezantimet e tyre panelistët theksuan  rolin dhe mandatin e mekanizmave për parandalimin e torturës dhe keqtrajtimit, si edhe sfidat me të cilat ballafaqohen ato lidhur me funksionimin efikas të institucioneve të shëndetit mendor dhe Qendrave të tjera për rehabilitim e të sëmurëve mendor.

 Zyra për marrëdhënie me publikun