Avokati i Popullit publikon Raportin përkitazi me kushtëzimin e regjistrimit të automjetit me shlyerjen e gjobave të papaguara për kundërvajtje në trafikun rrugor

08/10/2018

Prishtinë, më 5 tetor 2018

Avokati i Popullit, në kuadër të ushtrimit të kompetencave dhe përgjegjësive të tij ligjore ka publikuar Raportin me Rekomadime Ex officio Nr. 376/2018 lidhur me Ligjin Nr. 05/L-132 për Automjete.

Raporti i Avokatit të Popullit ka për qëllim që të shpjegojë hollësisht nenin 46, par. 1, të Kushtetutës së Republikës së Kosovës (“E drejta e pronës është e garantuar”) dhe mënyrën se si duhet zbatuar kjo dispozitë në sistemin juridik të Republikës së Kosovës, si dhe që të analizoj, në bazë të këtij shpjegimi, nëse neni 43, par. 2 i Ligjit për Automjete paraqet shkelje të së drejtës së pronës.

Gjatë trajtimit të çështjes në fjalë Avokati i Popullit ka konstatuar se Ligji Nr. 05/L-132 për Automjete, neni 43, par. 2,  i cili parashikon se: “Pronari i mjetit nuk mund ta bëjë regjistrimin apo vazhdimin e regjistrimit të mjetit me veprim motorik, as ndërrimin e pronarit, pa e bërë shlyerjen e gjobave për kundërvajtje në trafikun rrugor”,  paraqet shkelje të së drejtës së pronës, të garantuar me nenin 46, par. 1 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.

Së këndejmi, Avokati i Popullit ka rekomanduar që Kuvendi, në bashkëpunim me Ministrinë e Infrastrukturës:

  1. Të ndryshojë Ligjin Nr. 05/L-132 për Automjete, përkatësisht, të fshijë nenin 43, par. 2 të tij;
  2. Të analizojë nëse Ligji Nr. 05/L-087 për Kundërvajtje, neni 30, par. 4 (“Nëse kryesi pjesërisht ose në tërësi nuk e paguan gjobën në afatin e përcaktuar, do të zbatohet përmbarimi i detyrueshëm në pajtim me dispozitat e Ligjit për Përmbarim. Urdhri kundërvajtës përmes të cilit shqiptohet gjoba do të cilësohet dokument përmbarues në përputhje me dispozitat e Ligjit për procedurën përmbarimore”), po funksionon në atë mënyrë që po sigurohet, në nivel të mjaftueshëm, shlyerja e gjobave të papaguara për kundërvajtje në trafikun rrugor;
  3. Nëse neni 30, par. 4 i Ligjit për Kundërvajtje nuk është i mjaftueshëm, të shqyrtojë nëse ka një masë tjetër më pak të ashpër sesa neni 43, par. 2 i Ligjit për Automjete, me të cilën mund të arrihet qëllimi i shlyerjes së gjobave të papaguara për kundërvajtje në trafikun rrugor.

Ky Raport me Rekomandime është përcjellë tek autoritetet përgjegjëse. I njëjti u është përcjellë mediave dhe është publikuar në ueb faqen zyrtare të IAP-së:

Raport me rekomandime Ex-officio nr.376/2018, në lidhje me kushtëzimin e regjistrimit të automjetit dhe ndërrimit te pronarit me shlyerjen e gjobave të papaguara për kundervajtje në trafikun rrugor