Featured Image

Ceremonia e ndarjes së çmimeve për storjet më të mira gazetareske në fushën e të drejtave të njeriut

05/10/2018

Në kuadër të projektit ,,OmbudsWatch – Promovimi i Rolit të Avokatit të Popullit në Kosovë’’, projekt ky i implementuar nga BIRN Kosova dhe ACDC (Qendra e Avokimit për Kulturë Demokratike) në partneritet me Institucionin e Avokatit të Popullit dhe i mbështetur nga Ambasada e Holandës në Kosovë u bë ndarja e çmimeve për tri storiet më të mira gazetareske në çështjet e të drejtave të njeriut.

Secila nga storjet pjesë e garës ka trajtuar një tematikë të veçantë nga fusha e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut dhe në të njejtën kohë ka pasur për qëllim inkurajimin e komunitetit të gazetarëve që përmes storjeve të ndryshme gazetareske të informojnë dhe të vetëdijesojnë publikun për gjendjen e të drejtave të njeriut dhe lirive themelore në vend.

Çmimi i parë iu nda gazetarëve Venera Çoçaj dhe Matko Bulent për dokumentarin ,, Qielli po hapet’’ i cili dokumentar trajton çështjen e të drejtave të komunitetit LGBT në Kosovë.
Çmimi i dytë iu nda gazetares Ardiana Thaçi Mehmeti, për dokumentarin ,, Të jesh plak’’ që trajton të drejtat e të moshuarve brenda familjes dhe qendrave të të moshuarve.
Ndërsa çmimi i tretë iu nda gazetares Besa Kalaja për dokumentarin ,, Mos u plaksh’’ që trajton mungesën e trajtimit institucional për njërën prej kategorive më të diskriminuara në vend, njerëzve të moshuar dhe Kaltrina Rexhepi për dokumentarin ,, Fëmija Nënë ,, e cila trajton dukurinë e martesave të hershme.