Deklarata per media lidhur me interpretimin e akteve normative sipas tri parimeve të interpretimit
Prishtinë, më 28 shtator 2018
Avokati i Popullit publikon Raportin me Rekomandime në lidhje me tri parimet e përgjithshme për interpretimin e akteve normative dhe zbatimin e këtyre parimeve në mbrojtjen e të drejtave të njeriut
Avokati i Popullit në kuadër të ushtrimit të kompetencave dhe përgjegjësive të tij ligjore, në mes tjerash, shqyrton dhe analizon zbatimin e legjislacionit. Gjatë punës së Institucionit të Avokatit të Popullit, janë hasur disa raste ku një situatë faktike mbulohet nga dy a më shumë akte normative. Avokati i Popullit ka vërejtur se mënyra se si vendoset përparësia ndërmjet akteve normative, ka implikime të rëndësishme për të drejtat e njeriut.
Raporti i Avokatit të Popullit ka për qëllim që të paraqes tri parime të përgjithshme: akti normativ special e derogon aktin normativ të përgjithshëm; akti normativ i mëvonshëm e derogon aktin normativ të mëparshëm, dhe akti më i lartë normativ e derogon aktin normativ më të ulët (lex specialis derogat legi generali, lex posterior derogat legi priori dhe lex superior derogat legi inferiori). Raporti po ashtu ka për qëllim që të udhëzojë se cilave akte normative duhet t’u jepet përparësi në një situatë faktike që mbulohet prej dy a më shumë akteve të tilla dhe që të shpjegon rëndësinë e këtyre parimeve për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, sundimit të ligjit dhe demokracisë, duke paraqitur shembuj konkret nga përvoja e Avokatit të Popullit dhe për të shpjeguar se si këto tri parime interpretuese i zgjidhin këto raste.
Me këtë rast Avokati i Popullit ka rekomanduar që:
- Gjykata Supreme, në bazë të Ligjit Nr. 03/L-199 për Gjykatat, neni 22, par. 1, nënpar. 3 (“Gjykata Supreme . . . përcakton qëndrimet parimore dhe mendimet juridike për çështjet që kanë rëndësi për zbatimin unik të ligjeve nga gjykatat në territorin e Kosovës”) të shpallë një mendim juridik duke udhëzuar që të gjitha gjykatat e rregullta të interpretojnë dhe zbatojnë akte normative në përputhje me tri parimet interpretuese (lex specialis derogat legi generali, lex posterior derogat legi priori dhe lex superior derogat legi inferiori) dhe të zbatojnë rregullat e propozuara në këtë Raport për raste të konfliktit ndërmjet këtyre parimeve;
- Kryeministri, në bazë të Kushtetutës, neni 94, par. 3 (“Kryeministri . . . siguron zbatimin e ligjeve”), të nxjerrë një akt administrativ duke udhëzuar të gjitha institucionet dhe agjencitë qeveritare që të interpretojnë dhe zbatojnë akte normative në përputhje me tri parimet e lartpërmendura dhe të zbatojnë rregullat e propozuara në këtë Raport për raste të konfliktit ndërmjet këtyre parimeve; dhe
- Institucionet dhe agjencitë e pavarura të interpretojnë dhe zbatojnë akte normative në përputhje me tri parimet e lartpërmendura dhe të zbatojnë rregullat e propozuara në këtë Raport për raste të konfliktit ndërmjet këtyre parimeve.
Ky Raport me Rekomandime është përcjellë tek autoritetet përgjegjëse. I njëjti u është përcjellë mediave dhe është publikuar në ueb faqen zyrtare të IAP-së: Raport me Rekomandime