Avokati i Popullit, në cilësinë e Amicus Curiae, dërgon Mendimin Juridik në Gjykatën Kushtetuese lidhur me kërkesën KI-108/18, të znj. Rina Kika, përfaqësuese e autorizuar e z. Blert Morina

26/09/2018

Prishtinë, më 26 shtator 2018

 

Avokati i Popullit, në cilësinë e amicus curiae, dërgon Mendimin Juridik në Gjykatën Kushtetuese lidhur me Kërkesën KI-108/18, të znj. Rina Kika, përfaqësuese e autorizuar e z. Blert Morina

Avokati i Popullit në pajtim me kompetencat dhe përgjegjësitë ligjore të tij, në cilësinë e mikut të gjykatës (amicus curiae) i ka paraqitur Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës Mendimin Juridik, i cili ka për qëllim të argumentojë bazën ligjore dhe të ofrojë një analizë ligjore përkitazi me rastin KI-108/2018, të znj. Rina Kika, avokate e autorizuar nga z. Blert Morina, për shqyrtimin e pranueshmërisë së kësaj çështjeje nga Gjykata Kushtetuese.

Qëllimi i paraqitjes së Avokatit të Popullit, në cilësinë e mikut të gjykatës në Gjykatën Kushtetuese, është që të mbështesë kërkesën për lirim nga detyrimi i shterjes së të gjitha mjeteve juridike, për shkak se rrethanat e rastit e bëjnë pritjen e procedimit të padisë nga Gjykatat e rregullta mjet jo-efektiv dhe të papërshtatshëm.

Avokati i Popullit duke u bazuar në  praktikën e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (GJEDNJ) ka vënë në pah, se rregulli i shterimit të mjeteve juridike duhet të zbatohet me një shkallë fleksibiliteti dhe pa formalizëm të tepruar, duke e sqaruar se rregulli i shterjes së mjeteve juridike nuk është absolut dhe nuk duhet të zbatohet në mënyrë automatike, por është më rëndësi të merren parasysh rrethanat e posaçme të secilit rast individual.

Avokati Popullit po ashtu ka vënë në pah edhe praktiken e vet Gjykatës Kushtetuese në rastet, kur kjo gjykatë kishte konstatuar se parashtruesit nuk kishin qasje në mjete juridike efektive dhe e kishte lejuar shfrytëzimin e këtij juridiksioni pa i shterur mjetet juridike, prandaj këto konstatime përshtatshmërisht do të mund të zbatoheshin edhe në rastin e z. Blert Morina.