Avokati i Popullit publikoi Raportin me rekomandime lidhur me vizitën e Mekanizmit Kombëtar për Parandalim të Torturës në Qendrën Korrektuese në Dubravë

27/08/2018

Komunikat për media:

AVOKATI I POPULLIT PUBLIKOI RAPORTIN ME REKOMANDIME LIDHUR ME VIZITËN E MEKANIZMIT KOMBËTAR PËR PARANDALIM TË TORTURËS NË QENDRËN KORREKTUESE NË DUBRAVË

Prishtinë, 24 gusht 2018 – Raporti në fjalë i referohet vizitës së Mekanizmit Kombëtarë për Parandalim të Torturës (MKPT) nga 20 deri më 22 mars 2018. Gjatë vizitës, personeli i Qendrës Korrektuese në Dubravë (QKD) i ofroi ekipit monitorues të Mekanizmit Kombëtar për Parandalim të Torturës (MKPT) bashkëpunim të plotë, kështu që ekipi pa vonesa pati qasje në të gjitha hapësirat e Qendrës. Ekipit i u siguruan të gjitha informatat e nevojshme për të kryer detyrën, si dhe mundësia për të intervistuar të burgosurit, pa prezencë të zyrtarëve korrektues. Gjatë vizitës në këtë qendër, MKPT nuk ka pranuar ankesa për keqtrajtim fizik apo përdorim të tepruar të forcës nga zyrtarët korrektues. Ekipi monitorues ka pranuar dy ankesa nga dy të burgosur me pretendimin se janë keqtrajtuar fizikisht nga zyrtarët e Policisë së Kosovës në kohën kur u arrestuan dhe u dërguan në stacionet policore ku u intervistuan. Ekipi monitorues ka pranuar një numër të konsiderueshëm të pohimeve nga të burgosurit për korrupsion dhe favorizime. Sipas këtyre pohimeve, bazuar në një pagesë të caktuar të parave, të burgosurit mund të përfitojnë trajtim favorizues sa i përket mundësive për të punuar, vizita familjare, largim të përkohshëm jashtë institucionit, trajtim mjekësor etj.

MKPT po ashtu ka pranuar një numër të pohimeve nga të burgosurit sipas të cilëve, të burgosurit e caktuar të kategorive të caktuara, trajtohen me favorizime krahasuar me të burgosurit tjerë. Duke mos paragjykuar nëse pohimet e tilla janë të vërteta apo jo, MKPT konsideron se drejtoria e QKD dhe organet kompetente të Shërbimit Korrektues të Kosovës (SHKK) duhet të zhvillojnë hetime gjithëpërfshirëse dhe të pavarura sa herë që ka pohime për korrupsion dhe favorizime në QKD. Autoritetet në fjalë duhet të forcojnë përpjekjet e tyre për të luftuar këto fenomene përmes masave preventive, edukimit dhe aplikimit të sanksioneve adekuate. Gjatë vizitës në QKD, MKPT ka pranuar një numër të madh të ankesave lidhur me cilësinë dhe sasinë e ushqimit i cili u servohet të burgosurve. Të burgosurit pohuan se cilësia dhe sasia e ushqimit që u shërbehet për mëngjes dhe darkë është shumë e varfër.

Kushtet e akomodimit dallojnë nga pavijoni në pavijon. MKPT ka vërejtur se pavijoni 1 është rinovuar, tualetet dhe dushet ishin në gjendje të mirë, qelitë nuk kishin lagështi, ishin të gëlqerosura dhe të pastra. Qelitë në përgjithësi ishin të ngrohta, kishin ndriçim të mjaftueshëm, si dhe ventilim. Gjatë vizitës, MKPT i kushtoi vëmendje të veçantë të burgosurve të cilëve u ishte shqiptuar masa e vetmisë për shkak të shkeljeve disiplinore dhe të cilët mbaheshin në qeli të ndara. MKPT konsideron se qelitë e tilla duhet të plotësojnë kriteret e parapara me Ligjin për Ekzekutimin e Sanksioneve Penale i cili përcakton se dhoma për ekzekutimin e vetmisë duhet të ketë një hapësirë prej së paku dhjetë (10) metra kub, pajisje sanitare, dritë natyrore, ujë të pijshëm, shtrat me çarçaf, tavolinë, karrige dhe ngrohje.  MKPT gjatë vizitës ka vërejtur se në pavijonin 2 nevojiten renovime pasi që kishte qeli dhe salla të ngrënies të cilat mbanin lagështi; dushet dhe tualetet po ashtu ishin në gjendje të keqe. Gjatë vizitës është vërejtur se të burgosurit përdorin pajisje elektrike të improvizuara për ngrohje të ujit të cilat mund të rrezikojnë seriozisht jetën e tyre.

MKPT ka vizituar pavijonin 8 në të cilin vendosen të sapo pranuarit dhe i nënshtrohen një regjimi themelor i cili zgjat 28 ditë. Kushtet e akomodimit në këtë pavijon janë shumë të këqija dhe lehtë mund të barazohen me trajtim degradues, poshtërues dhe çnjerëzor. MKPT shpreh shqetësim serioz lidhur me faktin se një pjesë e pavijonit numër 8 shfrytëzohet si krah i spitalit.

MKPT është e mendimit se me qëllim të arritjes së risocializimit dhe rehabilitimit të duhur të të dënuarve duhet të rriten aktivitetet e mirëfillta dhe të ketë sa më shumë programe rehabilitimi të cilat do të ishin në dispozicion të një numri sa më të madh të të dënuarve.

Po ashtu, MKPT konsideron se krijimi i njësisë ekonomike do të shtonte aktivitetet dhe angazhimet e një numri më të madh të të dënuarve. Krijimi i njësive ekonomike parashihet edhe me Ligjin për Ekzekutimin e Sanksioneve Penale. Edhe gjatë kësaj vizite, MKPT ka vërejtur se spitali edhe më tej nuk posedon ashensor përmes së cilit do t’u mundësohej qasja në katin e dytë të dënuarve me aftësi të kufizuara. Gjatë kësaj vizite MKPT ka pranuar shqetësimet e drejtorisë për shkak të mungesës së personelit korrektues, punëtorëve social dhe psikologëve. Afërsisht 100 zyrtarë korrektues i mungojnë QKD-së sipas drejtorisë. Po sipas drejtorisë planifikohet shtimi i personelit korrektues për 50 zyrtarë të rinj. Po ashtu, drejtoria ka shprehur shqetësimin lidhur me moshën mesatare të personelit korrektues, e cila është 49 vjeç. Gjatë vizitës, MKPT ka pranuar shumë ankesa edhe nga personeli korrektues lidhur me numrin e vogël të zyrtarëve korrektues në raport me të burgosurit dhe kushteve tjera të punës.

Po ashtu, një nga ankesat e shpeshta të cilat i pranon MKPT nga zyrtarët korrektues është edhe çështja e llogaritjes së stazhit të beneficuar. MKPT nuk ka pranuar ankesa lidhur me të drejtën për kontakte me botën e jashtme.  Gjatë vizitës, MKPT ka vizituar edhe hapësirat ku pranohen vizitat familjare dhe vizitat e lira. Kushtet në këto hapësira mbeten në nivel të kënaqshëm dhe MKPT nuk ka pranuar ankesa as nga të burgosurit dhe as nga vizitorët të cilët gjendeshin në këto hapësira gjatë vizitës. MKPT u njoftua nga drejtoria, se në disa pavijone dhe objekte në QKD nuk ka kamera të sigurisë dhe se disa kamera janë jashtë funksionit. MKPT inkurajon autoritetet e QKD që të pajisin të gjitha korridoret e pavijoneve dhe hapësirave të jashtme me kamera të sigurisë të cilat, sipas KPT,  në fakt përbëjnë një nga garancitë për mbrojtje nga keqtrajtimi. Edhe përmes këtij raporti, MKPT inkurajon autoritetet relevante që sigurojnë mundësi teknike që të dhënat e regjistruara nga kamerat e sigurisë të ruhen një kohë më të gjatë pasi që në këtë mënyrë mund të hetohen në mënyrë më efektive pohimet eventuale për keqtrajtim apo përdorim të tepruar të forcës fizike. Sipas drejtorisë, gjatë këtij viti, deri më tani janë regjistruar katër incidente ndërmjet të burgosurve. MKPT ka vërejtur se këto incidente janë evidentuar në formularë përkatës. Në përgjithësi, MKPT gjatë vizitës ka vërejtur se raportet ndërmjet të burgosurve janë të mira dhe nuk ka klimë tensionimi shqetësues ndërmjet tyre pothuajse në asnjë pavijon.

MKPT ka pranuar ankesa nga të dënuarit lidhur me mos përgjigjen në kërkesa të cilat i drejtohen drejtorisë. MKPT konsideron se pavarësisht natyrës së kërkesës është e rëndësishme që të burgosurve t’u kthehen përgjigje në kërkesat e parashtruara. MKPT është e njoftuar se Shërbimi Korrektues i Kosovës në bashkëpunim me ekspertët e Këshillit të Evropës në kuadër të projektit të përkrahjes për Shërbimin Korrektues të Kosovës, kanë mbajtur disa punëtori me qëllim të ndërtimit të procedurave dhe përpilimit të formularëve të ankesave të të burgosurve. Gjatë vizitës, ekipi monitorues ka pranuar një numër të madh të ankesave kundër vendimeve të Panelit për Lirim me Kusht (PLK). Sipas pohimeve të ankuesve, PLK nuk ua dërgon në QKD vendimet lidhur me kërkesën e tyre për lirim me kusht.

MKPT, për të gjitha gjetjet dhe rekomandimet në raportin në fjalë, e ka njoftuar drejtorin e përgjithshëm të Shërbimit Korrektues të Kosovës gjatë një takimi zyrtar.

Përmes këtij raporti MKPT e Avokatit të Popullit u ka rekomanduar institucioneve kompetente si në vijim: Të njoftohet MKPT e Avokatit të Popullit nëse është miratuar legjislacioni sekondar për luftimin e korrupsionit, të përmirësohet cilësia dhe sasia e ushqimit, të burgosurve t’u sigurohet ushqimi dietal sipas rekomandimit të mjekut kompetent, të gjitha qelitë ku vendosen të burgosurit të cilëve u shqiptohet masa disiplinore e vetmisë të jenë në pajtim me Ligjin për Ekzekutimin e Sanksioneve Penale dhe rekomandimet e Komitetit Evropian për Parandalim të Torturës, të bëhen renovimet e nevojshme bazuar në konstatimet në këtë raport, veçanërisht pavijoni 8, të furnizohet kuzhina me pajisje adekuate sipas vlerësimit konkret, të ndërmerren hapa konkret në mënyrë që të ndërpritet praktika e përdorimit të pajisjeve të improvizuara elektrike, MKPT ri përsërit rekomandimin që të burgosurit të furnizohen me dollapë për vendosjen e gjësendeve të tyre, MKPT ri përsërit rekomandimin që të funksionalizohet salla e sportit, Të funksionalizohet njësia ekonomike, MKPT ri përsërit rekomandimi që në spitalin e burgut të instalohet ashensori i cili do t’u mundësonte të burgosurve me aftësi të kufizuara qasjen në katin e dytë të spitalit, Të bëhen renovimet e nevojshme në spital, të angazhohet personeli i nevojshëm korrektues sipas vlerësimit të nevojave, MKPT ri përsërit rekomandimin që vendosen kamerat e sigurisë aty ku mungojnë, si dhe mundësinë teknike të ruajtjes së të dhënave për një kohë më të gjatë, të shtohet numri i punëtorëve social bazuar në numrin e të burgosurve në QKD, të furnizohet QKD me të gjitha pajisjet dhe materialet e nevojshme për punë të përditshme, të adresohen nevojat e zyrtarëve korrektues sa i përket kushteve të punës dhe pajisjeve për punë, të njoftohet MKPT lidhur me çështjen e përdorimit të peper spray dhe afatit të skaduar të të njëjtit, MKPT ri përsëritë rekomandimin që Ministria e Shëndetësisë  të angazhojë një stomatolog të rregullt, MKPT ri përsëritë rekomandimin që Ministria e Shëndetësisë  të angazhojë një psikiatër të rregullt.

Raporti i plotë me rekomandime mund të gjendet në : http://www.ombudspersonkosovo.org.

Zyra për Informim Publik  të  IAP