Avokati i Popullit publikoi Raportin përkitazi me mosnjohjen e gradës Master, për kualifikimet e fituara në fushën teknike, sipas sistemit të studimeve universitare pesë vjeçare, sipas sistemit të para Bolonjës

20/07/2018

Avokati i Popullit, i ka përcjellë Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Rektoratit të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” dhe Fakultetit të Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike, Raportin A. nr. 533/2017, nëpërmjet të cilit rekomandohet plotësimi dhe riformulimi i nenit 5, të Udhëzimit Administrativ nr. 11 për Krahasueshmërinë dhe Barasvlerën e Diplomave dhe të Programeve Studimore para dhe sipas sistemit të Bolonjës, me qëllim të mundësimit të njohjes së titullit Master për të diplomuarit në sistemin pesëvjeçar të studimeve në fushën teknike para Sistemit të Bolonjës.

Raporti i Avokatit të Popullit, është mbështetur në rastin e inicuar nga z. Ahmet Murati, i cili kishte përfunduar studimet themelore universitare sipas sistemit të para Bolonjës, në kohëzgjatje prej 5 (pesë) viteve, dhe 10 (dhjetë) semestrave. Bazuar në kohëzgjatjen e studimeve ankuesi kishte grumbulluar gjithsej 300 ECTS kredi. Sipas pikës 5.1 të shtojcës së diplomës, 300 ECTS kredi, i kishin dhënë të drejtën e aplikimit në studimet Master dhe/ose të Doktoraturës. Mirëpo bazuar në mangësitë e UA, të njëjtit nuk i’u njoh  grada Master.

Avokati i Popullit, pas analizës së rastit, vëren që edhe pse Ligji nr. 04/L-037 për Arsimin e Lartë në Republikën e Kosovës, përcakton saktësisht kreditë për marrjen e diplomës master, neni 5 i Udhëzimit Administrativ (MASHT) nr. 11, Krahasueshmëria dhe Barazvlera e Diplomave dhe e Programeve Studimore Para Sistemit të Bolonjës dhe të Sistemit të Bolonjës,i cili parasheh se: ,,Diplomat e studimeve universitare 4.5 (katër vite e gjysmë) dhe 5 (pesëvjeçare) që kanë prëfunduar me mbrojtje publike të temës në fushat teknike të sistemit të para Bolonjës barsvlerësohen me 300 ECTS“, lë zbarazëti ligjore, duke mos arritur që të sqaroj qartë ekuivalencën e kredive të fituara, gjatë studimeve me gradën përkatëse të kualifikimit.

Avokati i Popullit, pas analizës së detajuar të çështjes ka konstatuar që mospërputhja në mes Ligjit për Arsimin e Lartë dhe Udhëzimit Administrativ nr. 11, i cili rregullon çështjen e Barazvlerësimit të Diplomave dhe Programeve Studimore Para Sistemit të Bolonjës dhe të Sistemit të Bolonjës, i cili nuk sqaron shprehimisht ekuivalencën e titujve në raport me ECTS kreditë e fituara gjatë programeve studimore të fushës teknike, me kohëzgjatje pesëvjeçare, ka rezultuar me efektin e trajtimit të pabarabartë, në punësim dhe kompenzim të pagës të një numri të konsiderueshëm të të diplomuarve në këtë sistem, të cilët janë të angazhuar në mësimdhënie, në krahasim me të tjerët.

Avokati i Popullit, konsideron që neni i lartpërmendur i UA, duke mos arritur të jetë i kuptueshëm dhe i parashikueshëm, bie ndesh me parimin e sigurisë juridike, si element i rëndësishëm i shtetit të së drejtës. Zbrasësira ka shkaktuar kufizimin e të drejtave dhe pritshmërive ligjore, që është dashur ta prodhojë dispozita në fjalë

Si rrjedhojë,  Avokati i Popullit i ka rekomanduar Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë që te ndërmarr veprimet dhe hapat e nevojshëm, me qëllim të plotësimit dhe riformulimit të nenit 5, të Udhëzimit Administrativ nr. 11 për Krahasueshmërinë dhe Barasvlerën e Diplomave dhe të Programeve Studimore para dhe sipas sistemit të Bolonjës, me qëllim të mundësimit të njohjes së titullit Master për të diplomuarit në sistemin pesëvjeçar të studimeve në fushën teknike para Sistemit të Bolonjës.

Avokati i Popullit, po ashtu rekomandoi Universitetin e Prishtinës ,,Hasan Prishtina”, që pas miratimit të udhëzimit administrativ në fjalë nga MASHT, të ndërmarr veprimet e nevojshme përgaditore, me qëllim të lëshimit të diplomave për njohje të kualifikimit  Master.