Avokati i Popullit e publikoi Mendimin Juridik, në cilësinë e Mikut të Gjykatës, përkitazi me moszbatimin e dispozitave të Ligjit nr. 04/L- 092, për Personat e Verbër lidhur me lirimin e personave të verbër nga tatimi në pronën e paluajtshme

21/06/2018

21.06.2018

Avokati i Popullit e publikoi Mendimin Juridik, në cilësinë e Mikut të Gjykatës, përkitazi me moszbatimin e dispozitave të Ligjit Nr. 04/L- 092, për Personat e Verbër lidhur me lirimin e personave të verbër nga tatimi në pronën e paluajtshme

Avokati i Popullit, në cilësinë e Mikut të Gjykatës (Amicus Curiae), ia ka përcjellë Gjykatës Themelore në Prishtinë, Mendimin Juridik lidhur me cenimin e të drejtave të personave të verbër, respektivisht mosrespektimin e dispozitave ligjore për lirimin nga tatimi në pronë, sipas ankesës së Shoqatës së të Verbërve në Gjakovë.
Avokati i Popullit, gjatë trajtimit të rastit në fjalë e ka vërejtur se Komuna e Gjakovës nuk po i zbaton dispozitat e Ligjit Nr. 04/L-092, për Personat e Verbër, në bazë të të cilave personat e verbër lirohen nga tatimi për pronën e paluajtshme. Avokati i Popullit më tej vëren se, në disa komuna personat e verbër lirohen nga tatimi në pronën e paluajtshme sipas dispozitave të Ligjit për Personat e Verbër. Për më shumë, Avokati i Popullit vëren se arsyetimi për moszbatimin e dispozitave të Ligjit për Personat e Verbër nga Komuna e Gjakovës mbështetet në qëndrimin e Ministrisë së Financave, sipas të cilit Komunat e Republikës së Kosovës janë të obliguara ta zbatojnë Ligjin për Tatimin në Pronën e Paluajtshme Nr.03/L-204, i ndryshuar dhe plotësuar me Ligjin Nr.04/L-100, duke i shpërfillur kështu dispozitat e Ligjit për Personat e Verbër. Avokati i Popullit gjatë trajtimit të kësaj çështjeje i ka dërguar një Letër Rekomandim ministrit të Ministrisë për Administrimin e Pushtetit Lokal (MAPL) me rekomandimin që në pajtim me kompetencat dhe autorizimet që burojnë nga ligji, të nxjerrë qarkore, me të cilën kërkohet nga të gjitha Komunat e Republikës së Kosovës, lirimi i personave të verbër nga tatimi në pronën e paluajtshme, në pajtim me dispozitat e nenit 6, të Ligjit për Personat e Verbër, pa asnjë dallim. Por deri më tani Avokati i Popullit nuk ka pranuar asnjë përgjigje nga ministri i MAPL-së.
Në anën tjetër, Shoqata e të Verbërve në Gjakovë ka parashtruar padi në Gjykatën Themelore të Prishtinës, në Departamentin për Çështje Administrative kundër vendimit të Komunës së Gjakovës, me të cilin refuzohet lirimi i personave të verbër nga tatimi në pronën e paluajtshme dhe lidhur me rastin në fjalë aktualisht është duke u zhvilluar procedurë gjyqësore në këtë gjykatë.
Avokati i Popullit në cilësinë e Mikut të Gjykatës (Amicus Curiae), bazuar në nenin 16, paragrafin 9, të Ligjit Nr. 05/L-019 për Avokatin e Popullit, sipas të cilit Avokati i Popullit mund të paraqitet në cilësinë e Mikut të Gjykatës (Amicus Curiae) në proceset gjyqësore që kanë të bëjnë me të drejtat e njeriut, i ka përcjellë Gjykatës Themelore në Prishtinë mendimin juridik, i cili e përmban analizën ligjore dhe konkluzionin e Avokatit të Popullit përkitazi me çështjen në fjalë.
Me këtë rast, Avokati i Popullit ka theksuar se parimi i shtetit të së drejtës, si parim themelor i Kushtetutës, i obligon organet shtetërore, ta respektojnë/zbatojnë legjislacionin e aprovuar nga legjislativi i vendit. Më tej, Avokati i Popullit ka theksuar se zbatimi i parimit të ligjshmërisë dhe parimit të shtetit të së drejtës nga organet administrative dhe gjyqësore ofrojnë garanci përmes së cilës ndërtohet një sistem efikas juridik që ofron siguri juridike për qytetarët.
Ky Mendim Juridik u është përcjellë mediave dhe është publikuar në ueb faqe në: LINK