Deklaratë e Avokatit të Popullit me rastin e Ditës Botërore të Mjedisit
Prishtinë, më 5 qershor 2018 – Dita Botërore e Mjedisit, 5 qershori, përsëri e gjen vendin para problemeve mjedisore të ndikuara nga veprimet arbitrare, pa e përfshirë në prioritete të vendit, dhe pa e llogaritur koston për sanimin e tyre, si dhe ndikimin në të drejtat e qytetarëve për mjedis të sigurtë dhe të shëndetshëm.
Simbolika e kësaj date është ofrimi i një mundësie për ngritje të vetëdijes globale për mbrojtjen e mjedisit, si dhe orientimin e politikave për të zgjeruar bazën për një mendim të hapur dhe sjellje të përgjegjshme, si nga individë, po ashtu edhe institucione dhe komunitetete, me qëllim të ruajtjes dhe përmirësimit të mjedisit. Kombet e Bashkuara, këtë ditë, këtë vit, e kanë shënuar me mesazhin “Largoni plastikat për një përdorim. Refuzoni atë që nuk mund ta ripërdorni. Së bashku, ne mund të krijojmë një rrugë për një botë më të pastër dhe më të gjelbër”. Prandaj, duke e vlerësuar lartë rolin e mjedisit, Objektivat për Zhvillim të Qëndrueshëm, mjedisin dhe mbrojtjes mjedisit i kanë dhënë hapësirë të veçantë, duke e ndarë në gjashtë objektiva.
Edhe pse Kushtetuta e vendit, mjedisin dhe mbrojtjen e mjedisit e ka renditur në vlerat në të cilat bazohet rendi kushtetues, e po ashtu “Përgjegjësia për Mjedisin Jetësor”, është përfshirë në kapitullin për të drejtat e njeriut, shteti nuk ka arritur të ndërmerr hapa konkret për ta renditur mjedisin në prioritete të vendit.
Ndotja e ujit, ajrit, dhe tokës, keqmenaxhimi i mbeturinave, mos arritja e vënies në kontroll të zhurmës, mungesa e monitorimit cilësor, mungesa e informimit mjedisor kualitativ, problemet me sistemin gjyqësor, janë vetëm disa nga parregullsitë, , që në vazhdimësi kufizojnë dhe cenojnë të drejtën e qytetarëve për mjedis të sigurt dhe të shëndetshëm, me ndikim në të drejtë për jetë, të drejtën e privatësisë, të drejtën e pronës, të drejtën e gëzimit të shtëpisë, të drejtën për qasje në dokumente publike, për shfrytëzimin e mjeteve juridike, etj.
Çështje në vete, vazhdon të mbetet dështimi i autoriteteve për të kontrolluar dhe për të krijuar hapësira të banimit me norma të mirfillta të planifikimit hapësinor, të cilat do të garantonin rregullim të qëndrueshëm të hapësirës, duke siguruar trajtim të barabartë, lëvizje të lirë dhe qasje adekuate në shërbimet publike për qytetarët.
Duke pasur parasysh gjendjen e mjedisit, dhe ndikim në të drejtat e qytetarëve, me theks të veçantë në shëndetin e tyre, Avokati i Popullit, si Institucion Kombëtar i mandatuar për mbrojtjen, mbikëqyrjen, dhe promovimin e të drejtave të njeriut, fton Institucionet përgjegjëse, që të ndërmarrin hapa konkret për ndërprerjen e parregullësive me ndikim në mjedis, si dhe vendosjen e mjedisit në prioritet e qeverisë.