Deklaratë e Avokatit të Popullit me rastin e Ditës Botërore të Lirisë së Shtypit

03/05/2018

– Dita Botërore e Lirisë së Shtypit, 3 maj 2018, përsëri e gjen vendin në përpjekje për t’i tejkaluar sfidat e deritanishme, në drejtim të garantimit të lirisë së shtypit si e drejtë themelore, dhe tregues i nivelit të zhvillimit të demokracisë dhe respektimit të standardeve ndërkombëtare për të drejtat e njeriut në përgjithësi.
– Simbolika e kësaj date është përqëndrimi i vëmendjes në vetë rëndësinë e lirisë së shtypit, diskurs i konceptit të demokracisë dhe barazisë së të gjithë njerëzve, duke reflektuar drejpërdrejtë në të drejtën për informim dhe lirinë e shprehjes.
– Në vitin 1993, Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara, me qëllim të ndërgjegjësimit për rëndësinë e lirisë shtypit, si dhe për të sjellë në vëmendje qeverive detyrën e tyre për të respektuar dhe mbështetur të drejtën e lirisë së shprehjes, e drejtë e garantuar në Deklaratën Universale të të Drejtave të Njeriut, mori vendim për caktimin e kësaj date, si ditë botërore e lirisë së shtypit.
– Lidhur me me lirinë e shprehjes dhe sigurinë e gazetarëve, Avokati i Popullit, më 2 nëntor 2017, ka publikuar Raportin me Rekomandime Nr. 707/2017, të iniciuar Ex officio, me qëllim të trajtimit të lirisë së shprehjes dhe lirisë së medieve, me theks të veçantë, sigurinë e gazetarëve në përmbushjen e misionit që kanë. Në fokus të raportit janë rastet e sulmeve fizike dhe kërcënimeve ndaj gazetarëve. Raporti ka theksuar kompleksitetin e vendosjes së balansit në mes lirisë së shprehjes, si e drejtë fundamentale, dhe përcaktimin e kufijve të saj në raport me të drejtat e tjera. Raporti ka tërheqë vërejtjen mbi nevojën e avancimit të kornizës legjislative, e cila do të garantonte mbrojtje të mjaftueshme për lirinë e medieve dhe sigurinë e gazetarëve, të ketë koordinim ndërmjet policisë dhe prokurorit të shtetit, si dhe trajtim me prioritet nga sistemi prokurorial dhe gjyqësor për veprat e kryera kundër gazetarëve.
– Avokati i Popullit, fton Institucionet e vendit që të fuqizojnë aktivitetet për të siguruar transparencë të vazhdueshme në funksion të llogaridhënjes publike dhe lirisë së shtypit si bazë e respektimit të të drejtave të njeriut, të zbatojnë rekomandimet e organizatave ndërkombëtare në lidhje me lirinë e shprehjes dhe sigurinë e gazetarëve, si dhe gjyqësorin që rastet e kërcënimeve dhe sulmeve ndaj gazetarëve t`i trajtojë me prioritet dhe t’i zgjidhë në mënyrë efektive, gjithnjë duke u bazuar në praktikën GJEDNJ.

http://ombudspersonkosovo.org/repository/docs/DEKLARAT%C3%8B_E_AVOKATIT_T%C3%8B_POPULLIT_ME_RASTIN_DIT%C3%8BS_BOT%C3%8BRORE_T%C3%8B_LIRIS%C3%8B_S%C3%8B_SHTYPIT_1_470031.pdf