Avokati i Popullit, nxjerr Opinionin në lidhje me parandalimin e nepotizmit në Universitetin e Prishtinës
Prishtinë, më 3 maj 2018 – Avokati i Popullit, në zbatim të funksioneve të tij kushtetuese dhe ligjore, më 16 mars 2018, ka nxjerr Opinionin në lidhje me parandalimin e nepotizmit në Universitetin e Prishtinës, me ç’rast rekomandohej ky i fundit që të vë në jetë legjislacionin e brendshëm dhe praktikat më të mira të parandalimit të nepotizmit (duke marrë si orientim standardet dhe parimet e mbështetura nga universitete të mirënjohura në botë).
Bazuar në Opinionin e dhënë të Avokatit të Popullit, Universiteti i Prishtinës, më 2 maj 2018, ka miratuar rekomandimet që dalin nga ky opinion si dhe ka paraqitur në formë të përmbledhur rregullat dhe parimet e brendshme të Universitetit të Prishtinës të përcaktuara në Statutin dhe Kodin e Etikës, që i japin përgjigje fenomenit të nepotizmit dhe ndihmojnë në parandalimin e tij.
Avokati i Popullit vlerëson lartë aprovimin nga Universiteti i Prishtinës të Udhëzuesit për Standardet dhe Parimet Etike të Universitetit të Prishtinës në lidhje me shmangien e nepotizmit dhe parandalimin e konfliktit të interesit në procedurat e zgjedhjes së personelit akademik.
Gjithashtu, bën thirrje edhe institucioneve tjera publike të arsimit të lartë që duke ndjekur shembullin e Universitetit të Prishtinës, të marrin masa për parandalimin dhe luftimin e fenomenit të nepotizmit në procedurat e zgjedhjes së personelit akademik.
http://ombudspersonkosovo.org/repository/docs/Opinoioni_i_Avokati_t%C3%AB_Popullit_p%C3%ABr_m%C3%ABnyr%C3%ABn_e_luftimit_t%C3%AB_nepotizmit_n%C3%AB_UP_197885.pdf