Mekanizmi Kombëtar për Parandalimin e Torturës (MKPT) i Institucionit të Avokatit të Popullit u takua me Drejtorin e Shërbimit Korrektues të Kosovës z. Nehat Thaçi

04/06/2018

Prishtinë, më 29 maj 2018 – Drejtoresha e Mekanizmit Kombëtar për Parandalim të Torturës (MKPT) të Institucionit të Avokatit të Popullit Znj. Shqipe Ibraj-Mala, me bashkëpunëtorët u prit në vizitë zyrtare (më 29 maj 2018) nga Drejtori i Shërbimit Korrektues të Kosovës z. Nehat Thaçi.

Gjatë këtij takimi, z. Thaçi u njoftua me historikun e krijimit dhe mandatin e këtij mekanizmi, të gjeturat gjatë vizitave në institucionet korrektuese dhe qendrat e paraburgimit, si dhe veprimet, të cilat duhet të ndërmerren në mënyrë që të respektohen të drejtat e të burgosurve në pajtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, ligjet e aplikueshme, Konventat Ndërkombëtare për të Drejtat e të Burgosurve, si dhe rekomandimet e Komitetit Evropian për Parandalimin e Torturës.

Përfaqësuesit e delegacionit të Mekanizmit Kombëtarë për Parandalim të Torturës e njoftuan z. Thaçi në veçanti për të gjeturat gjatë vizitës në Qendrën Korrektuese në Dubravë në mars të vitit 2018 dhe për rekomandimet, të cilat së shpejti do t’i dërgohen Ministrisë së Drejtësisë dhe Shërbimit Korrektues të Kosovës.

Z. Thaçi ia prezantoi delegacionit vizionin e tij për ndryshimet që duhet bërë, në mënyrë që të arrihen standardet në fjalë dhe të arrihet një funksionim i mirëfilltë i Shërbimit Korrektues të Kosovës dhe në këtë drejtim kërkoi që Mekanizmi Kombëtar për Parandalim të Torturës i Institucionit të Avokatit të Popullit të jetë partner konstruktiv, ashtu siç parashihet me Protokollin Opsional të Konventës kundër Torturës, mbi bazën e të cilit shtetet i krijojnë mekanizmat e tillë dhe të njëjtit përmes vizitave, të gjeturave dhe rekomandimeve, ta ndihmojë Shërbimin Korrektues të Kosovës në arritjen e standardeve ndërkombëtare të të drejtave të burgosurve.

Zyra e marrëdhënieve me publikun