Deklaratë e Avokatit të Popullit me rastin e publikimit te Raportit të Komisionit Europian për Kosovën
Prishtinë, më 18 prill 2018 – Raporti i sapopublikuar i Komisionit Europian 2018 për Kosovën, vlerëson se Institucioni i Avokatit të Popullit (IAP) ka vazhduar ngritjen e kapaciteteve për shqyrtimin e rasteve, duke u bërë kështu institucioni më i besuar në Kosovë.
Raporti thekson se korniza ligjore garanton gjërësisht mbrojtjen e të drejtave themelore të njeriut në pajtim me standardet europiane, mirëpo kërkohen përpjekje dhe angazhim shtesë në zbatimin e tyre. Po ashtu, zbatimi i strategjive dhe legjislacionit për të drejtat e njeriut pamundësohet nga mungesa e resurseve adekuate, përfshirë ato financiare, për shkak të mosprioritizimit të politikave dhe mungesës së koordinimit.
Pashmangshmërisht, Raporti trajton veprimet dhe ndërveprimet e IAP-së kundrejt autoriteteteve përkatëse të vendit dhe vlerëson përmirësimin e dialogut në mes të Avokatit të Popullit dhe institucioneve qeveritare, ashtru siç edhe numrin në rritje të rekomandimeve të zbatuara.
Raporti vë në pah themelimin e Mekanizmit Kombëtar për Parandalimin e Torturës, në kuadër të IAP-së, duke potencuar faktin se stafi përkatës është duke u trajnuar intenzivisht dhe se ka filluar me trajtimin dhe hetimin e ankesave të pranuara.
Po ashtu, Raporti thekson adresimin e të drejtës së qytetarëve për miradministrim nga ana e Avokatit të Popullit, si institucion i pavarur mbikëqyrës.
Sa i përket të drejtave pronësore, Raporti përmend se Avokati i Popullit ka rekomanduar ndryshimin e Ligjit për Agjencinë Kosovare për Krahasim dhe Verifikim, në mënyrë që ky ligj të jetë në pajtim me Kushtetutën, standardet europiane dhe ndërkombëtare për të drejtat e njeriut. Ndryshimet e rekomanduara nga Avokati i Popullit, kanë të bëjnë me mandatin dhe kompetencat e Agjencisë, për të vepruar në rastet e ri-uzurpimit të pronave të personave të zhvendosur, gjë që nuk parashikon ligji aktual.
Sa i përket mos-diskriminimit, në fushën e politikave sociale dhe të punësimit, raporti përmend se numri i ankesave të cilat Avokati i Popullit i pranon nga qytetarët mbetet i njëjtë, mirëpo thekson se numri i rasteve të iniciuara me vetiniciativë të Avokatit të Popullit (Ex Officio) është dyfishuar.
Avokati i Popullit vlerëson gjetjet e Raportit të Komisionit Evropian, sipas të cilave IAP cilësohet si institucioni më i besueshëm në Kosovë. Ky cilësim pason hulumtimin vjetor të Këshillit për Bashkëpunim Rajonal (RCC), i cili në në Barometrin e Ballkanit 2017 e ka nxjerrë IAP-në si institucionin më të besueshëm ndërmjet institucioneve kyçe shtetërore, jo vetëm në Kosovë, por edhe në Ballkan.